Shqipëria ka arritur sot një fitore të madhe përballë Çekisë në ”Air Albania” duke siguruar tre pikët që e mbajnë në kreun e Grupit E në kualifikueset e Europianit dhe e afrojnë më shumë me aktivitetin e vitit të ardhshëm.Kombëtarja shqiptare mundi 3-0 Çekinë në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, aty ku për 90 minuta dominuam, dhuruam spektakël dhe në fund u shpërblyem me atë çfarë meritonim, 3 pikë.
Që në fillim, takimi nisi mirë për Shqipërinë që provoi me raste të njëpasnjëshme, por ishte Jasir Asani që në minutën e 9 mori një top të mirë dhe e dërgoi atë në rrjetë. Kaq mjaftoi që djemtë të merrni dhe më shumë zemër. Megjithatë edhe miqtë nga Çekia provuan me rastet e tyre.
Në minutën e 39, çekët shënuan, por pas verifikimit dhe me sistemin VAR, arbitri anuloi gjithçka për prekje të topit me dorë, e cila solli edhe kartonin e dytë të verdhë për lojtarin e Çekisë.
Menaxhimi i lojës për Shqipërinë u bë shumë më i thjeshtë dhe me fillimin e pjesën së dytë këtë here ishte Taulant Seferi që pas një aksioni të bukur dërgoi topin në rrjet dhe shpërtheu festën në stadium. Mirëpo, asgjë nuk kishte mbaruar me kaq. Sërish Seferi që në minutën e 73 realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për kuqezinjtë dhe hipotekoi fitoren. Spektakli i kuqezinjve nuk mbaroi. Në fund Arbnor Muja la dhe firmën e tij, por gjyqtari e anuloi golin për pozicion jashtë loje.
Shqipëria mund të besojë realisht tashmë për ëndrrën europiane në Gjermani. Aktualisht kuqezinjve i duhen vetëm 2 pikë, pra marrim rastin e dy barazimeve me dy ndeshjet e mbetura apo qoftë dhe një fitore mes dy finaleve të mbetura.
Në duelin tjetër të grupit, Polonia mundi Ishujt Farore dhe klasifikimi i grupi E, aktualisht kryeson Shqipëria që është me 13 pikë, më pas në vendin e dytë është Polonia me 9 pike dhe në të tretin Çekia me 8 pikë, po aq sa Moldavia. Në fund qëndrojnë Ishujt Faroe me vetëm një pikë.