‘Fol, bëhu i penduar’/ Jeton Lami refuzoi ofertën e SPAK

– Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar negocioi me ish-agjentin e Operacionales, Jeton Lamin për ta kthyer në bashkëpuntor të drejtësisë, por ai refuzoi. Burime për “TvKlan” pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë konfirmuar këtë tentativë, por sërish se ish-efektivi nuk ka pranuar të flasë.

Bashkëpunimi me Jeton Lamin konsiderohet me tepër rëndësi për SPAK, pasi konsiderohet si personi i fundit që pati kontakt me të zhdukurin, Ervis Martinaj, i cili mund të zbardhë “fatin” e tij. Sot, për të, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Altin Dumani, në një takim informal me gazetarët, është shprehur se po hetohet çështja, por në lidhje me dëshminë e efektivit të arrestuar si truprojë e Martinajt, Jeton Lami, nuk ka asnjë të re.

Ish-agjenti i Operacioniales u arrestua në Gusht të 2022, vetëm disa ditë pasi familja e Ervis Martinajt kallëzoi humbjen e kontakteve me të shumëkërkuarin. Jeton Lami rezultoi ndër personat e fundit që kishte patur kontakte me Martinajn, e vërtetuar dhe me pamje filmike në një hotel në Durrës. Por që nga gushti dhe deri më tani, Jeton Lami nuk ka pranuar që të flasë. Për Jeton Lamin, më 26 dhjetor, Prokuroria e Kurbinit zgjati edhe me 3 muaj të tjerë afatin e hetimit për Jeton Lamin, duke arsyetuar se do të kryejë veprime të tjera hetimore.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *