Gjykata e Tiranës do të hapë çështjen në lidhje me denoncimin për një ngjarje të rëndë të ndodhur në kryeqytet. Prindërit e një foshnjë akuzojnë QSUT-në se fëmija i tyre është infektuar me HIV në ambientet e Pediatrisë kur ka qenë i shtruar.
Apeli mësohet se ka urdhëruar gjykatën e Tiranës që të hapë çështjen e foshnjës me HIV
Vendimi për hapjen e çështjes, pas apelit të prindërve.
Ngjarja në fjalë u denoncua në media, ku prindërit treguan se si u infektua fëmija i tyre, ndërkohë që ata rezultojnë negativ.
Në një intervistë për Report Tv, nëna e djalit ka treguar mesazhet që ka shkëmbyer me shefen e departamentit të sëmundjeve infektive, Silva Bino, e cila gjithashtu nuk e përjashton mundësinë e infektimit në sistemin shëndetësor.
MESAZHET E SHKËMBYERA:
Nëna: Ku u infektua im bir, zonja Bino, me prindër negativë?
Bino: Në sistem u infektua, pra ne nuk e përjashtojmë sistemin, por nuk mund të gjejmë se ku dhe kjo sa është problem i madh për ty aq edhe për ne.
Më pas, ajo rrëfen sesi iu infektua djali, vetëm 1 vjeç…
“Gjithçka nisi në 28 nëntor 2021 me një bronokopneumoni të shfaqur te foshnja e tyre një muaj pas lindjes. Mjekja që e ndoqi ishte Ilirjana Bakalli. Më pas u bë shtrimi i parë në pediatri, në reaminacion në terapi intensive. Shtrimet në spital janë ripërsëritur disa herë dhe gjithmonë për arsye të ndryshme. Tri javë më vonë pasi fëmija doli në datën 9 dhjetor nga reaminacioni ne e morëm në shtëpi dhe në datën 31 Dhjetor fëmija pati një temperaturë të pazakontë me 39 gradë celcius. Në muajin janar përsëri kaloi një infeksion të rëndë urinar. Në muajin shkurt djalit i lind një polipnemë. U detyruam t’a shtrojmë në spital në pavionin e pneumologjisë të drejtuar nga zonja Luli Kote. Sipas mjekes djali të gjithë këto shqetësime, polipneja, temperatuara, të gjitha këto komplikacione i shfaqeshin nga probleme kardiovaskulare. Pasi dolëm nga spitali përsëri djali vazhdonte me polipnemë, doli i pakuruar dhe na u desht t’a shtronim përsëri”,-tregojnë prindërit.
Disa analiza të kryera në datën 2 Mars të 2022 do të sillnin rezultate që dy prindërit e rinj as nuk i imagjinonin. Djali i tyre ishte infektuar nga sëmundja e shekullit.
“Djali ynë iu nënshtrua disa analizave ku ndër to ishte dhe analiza e HIV-it për të cilën ne nuk kishim dijeni. Ne prindërit e tij negativë dhe nuk e dimë sesi u infektua. Gjëja e fundit që mund të mendonim ishte kjo diagnozë. Për fatin tonë të keq dhe të vogëlushit tonë fëmija rezultoi pozitiv me katër teste pozitive. Na ka mbetur përgjithmonë në mendje mënyra sesi u konfirmua diagnoza pa asnjë psikolog pranë dhe krejt të vetëm me 3 mjek që vërtiteshin rreth nesh dhe bënin rrotullime të pakuptimta, derisa konfirmuan zyrtarisht që djali ynë ishte i infektuar me HIV”, tregojnë prindërit.
Por pavarësisht se analizat ishin të qarta, mjeku Shpëtim Qyra u thoshte se e gjitha mund të ishte një simptomë e koronavirusit.
“Sigurisht që ngarkesa rezultoi pozitive dhe çdo shtet e ka obligim të lajmëroj shtetin homolog për një rezultat të tillë. Pas lajmërimit të MSH në Shqipëri paralelisht me ne mjekët ngulmonin pasi ne të dy rezultuam negativë që ky ishte një rast shumë i çuditshëm dhe i rrallë dhe që fëmija të rezultonte pozitive. Gjithsesi të shqetësuar vendosëm të zhvillonim një takim me z. Shpëtim Qyra. Sipas tij ndarja për të patur një rezultat të saktë ishte pas 6 muajsh. I besuam këmbënguljes së tij dhe me kërkesë të z.Qyra vendosëm t’ia përsërisnim sërish analizën. Doctor Shpëtim Qyra për çudi shumë të madhe na thoshte se djali nuk e ka HIV-in. Mund të gjendemi në një cross COVID-i që mund të ndodhte kjo”, vijojnë rrëfimin prindërit.
Të shqetësuar prindërit kontaktuan vetë një tjetër mjek infeksionist.
“Vendosa të marr në takim një specialist në fushën e HIV-it z.Arjan Harxhi. Doktor Harxhi vendosi të kishte një komunikim me telefon me z.Qyra i cili kërkoi për çudi të ulej zëri i telefonit në mënyrë që mos kishim mundësi ta dëgjonim. Pas këtij komunikimi dr.Harxhi mori të njëjtën qasje si të gjithë mjekët që ishim përballur duke reflektuar dyshime duke sugjeruar dhe ai përsëritje të analizave,”- tha ato.
Pas 3 muajsh analiza të vazhdueshme mjekët shqiptarë konfirmuan më në fund pozitivitetin e foshnjes me HIV/AIDS, por këto vonesa në diagnozë çuan në përkeqësimin e shëndetit të fëmijës, i cili tani ka 3 linfolodula në krahë të shkaktuara nga vaksina e tuberkulozit .
ISHP nisi hetimin epidemiologjik vetëm me kërkesën e prindërve, por pa i njohur ata më pas më rezultatet. Edhe deri më tani, kurrë nuk kanë reaguar publikisht, ndërsa për çështjen në fjalë u bë dhe një kallëzim në prokurori. Prindërit e fëmijës së infektuar me HIV/AIDS gjatë kësaj kohe kanë zhvilluar 2 takime me zv.ministren Mira Rakacolli, ndërsa vetë ministrja nuk i ka pritur në një takim.
Kush do të mbajë përgjegjësi? Si u infektua fëmija, ishte gjaku, apo një nga bluzat e bardha, ai që e infektoi? Kur do ta marrë përgjigjen ky rast?