Gazetarja Klodiana Lala thotë se në kazinotë në Shqipëri punësohen vajza të huaja në mënyrë që të mos njohin personazhet publikë. E ftuar në studion e emisionit “Open” në Neës24, Lala tha se ky ka qenë edhe rasti i 22-vjeçares keniane që vdiq në rrethana misterioze, Joy Aoko. Gazetarja tha se në momentin që kishte biseduar me një prej shoqeve të Joy-t, ia kishte treguar të gjithë politikanët me foto, në mënyrë që të kuptonte se cilët persona e frekuentonin kazinonë ku punonin vajzat.
“Vajza nuk ka qenë gjithmonë në hostelin ku ndodhi ngjarja, aty kishte vetëm 10 apo 12 ditë. Po të kishte pasur një veprimtari hetuese më të saktë do ishin zbardhur shumë gjëra. Në kazino nuk shkojnë njerëz të zakonshëm. Këto vajza punësohen sepse nuk i njohin figurat e njohura në vend. Unë kam qenë në polici dhe vetë zyrtarët më kanë pyetur se si e kam parë këtë ngjarje. Nuk e kishin të qartë se çfarë ka ndodhur. Unë dyshoj te të gjitha mundësitë. Kam folur me njhë nga vajzat dhe nuk njihte askënd. Ia tregova një për një me foto, a iushte ky? Ishte ky? Sigurisht që ajo nuk pranoi të fliste. Deri në momentin që unë kam fikur kamerën, ajo s’ka folur,”- tha Lala.
Joy Aoko ndërroi jetë në Kenia, ku u transportua në gjendje kome, disa muaj pasi ndodhej e shtruar tek Trauma. Joy ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. 22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se e reja kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejashme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë ne derën e rezidencës ku jetonte. Oficerët e policisë kanë ripyetur disa persona për të sqaruar paqartësi apo mospërputhje mes deklarimeve të tyre dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë. E para që u ripyet ishte shoqja e dhomës se 22-vjeçares e cila është nga Gana. Po ashtu janë pyetur edhe stafi i kazinosë dhe shoferi që e transportoi 22-vjeçaren në rezidencë pak orë para se të gjendej nga banorët jashtë rezidencës në gjendje të rëndë. Deri më tani s’ka asnjë person në pranga të lidhur me ngjarjen.