Greqi/ Sherr për një palë rroba, 18-vjeçari godet për vdekje me gërshërë vëllain e vogël

Për disa rroba, kapi një palë gërshërë dhe goditi për vdekje vëllanë e tij. Nuk bëhet fjalë për një skenar filmi horror, por për një tragjedi familjare krejtësisht reale, e cila ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Nea Smyrni të Athinës në Greqi, duke shkaktuar tronditje të opinionit publik.

Mediat fqinje raportojnë se gjithçka ka ndodhur rreth orës 19:30, teksa autori 18-vjeçar, viktima 16-vjeçar, nëna e dy vëllezërve, gjyshja dhe vajza ndodheshin në banesën e tyre në rrugën Stadiou në Nea Smyrni.

Raportohet se dy vëllezërit kanë debatuar ashpër për rrobat. E ëma e tyre dhe gjyshja u përpoqën t’i ndanin, por gjërat dolën jashtë kontrollit dhe dy të rinjtë u gjendën në dysheme duke goditur me grushte dhe shkelma.

Sherri është përshkallëzuar dhe më pas 18-vjeçari ka marrë një palë gërshërë nga dhoma e gjumit dhe ka nisur të ndjekë vëllain e tij të vogël, i cili në tentativë për t’u arratisur ka tentuar të fshihet në dhomën e ndenjes duke mbyllur derën ndarëse pas tij. Në fund nuk ia doli.

18-vjeçari ka hapur derën e dhomës së ndenjes, ka sulmuar vëllain e tij dhe ka nisur t’i fusë gërshërët në gjoks, duke e goditur për vdekje.

Zbulimi i tragjedisë është bërë pak para orës 21:00 të mbrëmjes pas një telefonate të fqinjëve që kanë dëgjuar përleshjen. Efektivët e policisë shkuan në shtëpi dhe gjetën 16-vjeçarin në dyshemenë e kuzhinës në një pellg gjaku.

Në të njëjtën kohë, në dhomën e gjumit janë gjetur edhe gërshërët me të cilat është kryer vrasja. Siç rezultoi nga dëshmitë e banorëve të zonës, nuk ishte hera e parë që dy vëllezërit debatonin dhe në të kaluarën kishin pasur zënka të ashpra.

Verën e kaluar, gjatë një mosmarrëveshjeje përsëri për rrobat, viktima 16-vjeçare kishte rrahur me grusht hekuri vëllanë e tij të madh, ndërsa 18-vjeçari kishte nxjerrë një thikë duke tentuar ta lëndonte.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *