Edmond Hoxha kishte dy vite që planifikonte eliminimin e Ardian Nikulajt, i cili u vra nga Ruben Saravia më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin. ‘Report Tv’ raporton se askush në Shqipëri nuk e mori përsipër vrasjen e 51-vjeçarit, duke e konsideruar të vështirë, edhe pse ishin ofruar deri në 500 mijë euro.
Duke u gjendur në këtë situatë, Haxhia nisi kërkimet për një vrasës jashtë vendit, derisa krijoi skuadrën me anëtarë nga Britania e Madhe dhe Portugalia.
Nikulaj e kishte nuhatur se diçka po përgatitej, ndaj prej të paktën 6 muajsh kishte rritur sigurinë dhe lëvizjen me makinë të blinduar.
Edmond Haxhia, solli në Tiranë 4 britanikët, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman, Harry Simpson si bashkëpunëtorë e informatorë dhe portugezin Ruben Saravia, si ekzekutorë. Të huajt mbërritën në Shqipëri njëri pas tjetrit, kamufluar si turistë, por që në fakt mision kishin vrasjen. Saravia e vëzhgoi për 2 muaj terrenin ku do të vriste biznesmenin dhe politikanin lokal të Lezhës, teksa bazën e qëndrimit e kishte tek shtëpia e Haxhisë në fshatin Kakarriq. Pas disa ditësh intensive vëzhgime, më në fund, agresori qëlloi drejt Nikulajt mesditën e 19 prillit, pasi u njoftua nga bashkëpunëtorët.
Haxhia, Mithan, Hunt dhe Bridgeman, u arrestuan një ditë më parë në Londër, pasi u lokalizuan nga autoritetet shqiptare përmes komunikimeve të celularëve. Të arrestuarit pritet të ekstradohen drejt Tiranës pas përfundimit të procedurave. Dy të tjerët, Ruben Saravia dhe Harry Simpson, akoma nuk janë lokalizuar.
Vrasja e Nikulajt u zbardh disa ditë më parë. Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare ku njoftoi se gjithçka ishte planifikuar nga vëllezërit Lestakaj, me të cilët Nikulaj ishte në hasmëri që prej vitit 1997. Dyshohet se Lestakajt kishin paguar një skuadër të huajsh për të ardhur për të kryer vrasjen. Sipas të dhënave të PSH-së, në rolin e ekzekutorit ishte portugezi Ruben Saraiva, ndërsa katër britanikë ishin vëzhgues. Ata janë identifikuar si: Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman. I gjithë ekipi menaxhohej nga Edmond Haxhia, djali i dajës i vëllezërve Lestakaj.