Pedagogët kanë bërë një reagim prekës për vdekjen e 20-vjeçares Megi Xhetani, e cila humbi jetën në ditën e të dashuruarve më 14 shkurt me partnerin e saj.
Ajo studionte në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe pikërisht ajo do të ishte në bankat e universitetit, për të kryer provimet sezonale.
Një reagim ka bërë pedagogia Elsa Skëndri, teksa është shprehur se ishte duke bërë apelin e emrave të klasës dhe kishte përmendur Megin.
Studentët nën zë ishin shprehur që ajo nuk është prezente, ndërsa ka thënë se jeta është shumë e padrejtë duke shpresuar që lajmi të mos ishte e vërtetë.
“Në këtë sallë provimi duhej të ishte sot edhe Megi Xhetani, e reja që humbi jetën në aksident disa ditë më parë.
Jeta është kaq e padrejtë dhe e hidhur ndonjëherë! Po shpresoja të mos ishte i vërtetë lajmi që dëgjova. Por apelit të emrave shokët e shoqet e grupit iu përgjigjën me zë të mekur. Megi s’është…
Një lutje për shpirtin tënd të bardhë, Megi”, është shprehur ajo.
Sakaq, edhe pedagogia Lili Sula ka thënë e tronditur se ajo ishte një studente që shpërndante vetëm qetësi dhe kulturë dhe shpreh ngushëllime për familjarët e saj.
“E tronditur e pa fjalë për shuarjen e jetës në moshë kaq të re të Megit, studentes sime që spakaste për qetësi, kulturë qytetare dhe përkushtim për dije.
“Arsimi shqiptar jeton në bilance lufte; përgjakje në ngjarje konfliktesh, aksidentesh rrugore, vrasjesh e vetëvrasjesh të vijueshme, duke shënuar rekordet më të zeza të historisë së tij.
Dhimbje e pikëllim i madh për të shtrenjtët e familjarët e Megit, për shokët e shoqet si dhe për pedagogët e të gjithë ata që e njohën studenten shembullore të Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë.
U shua Megi për një çast në aksident rrugor e mori krahë të dëlirë përjetësie në amëshim.
Qofsh në lëndina Parajse Megi Xhetani e ndritsh terrin e këtushëm me shpirtin tënd të bardhë.
Shpirtërisht jam pranë familjarëve së saj e lutem që të gjejnë forcë të përballojë dhimbjen e pamasë të ikjes pa kthim të bijës së tyre”, shkruan pedagogia Sula.
