Një 23-vjeçare është paraqitur mëngjesin e sotëm pranë maternitetit të Durrësit, ku kishte planifikuar të linde foshnjën e saj dhe më pas ta braktiste atë në këtë institucion. Nga informacionet paraprake, gruaja e re ka pretenduar se partneri i saj ishte larguar drejt Italisë dhe në kushtet ku ishte e vetme dhe në pamundësi ekonomike, e kishte të pamundur ta rriste e vetme fëmijën e saj.
Stafi i maternitetit ka njoftuar policinë e Durrësit dhe një grup i gatshëm ka shoqëruar gruan e re në komisariat për të marrë dëshminë e saj.
Deri më tani nuk dihet nëse gruaja e re ishte banore e Durrësit, apo kishte ardhur nga ndonjë qytet tjetër.
Nga materniteti i qytetit nuk u dha asnjë përgjigje konkrete lidhur me rastin në fjalë. Braktisja e fëmijëve është një fenomen i njohur.
Kujtojmë këtu se rreth një muaj më parë, 22-vjeçarja Denada Sula, braktisi foshnjën e saj pranë koshit të mbeturinave në afërsi të rotondos në hyrje të Golemit. Foshnja kishte qëndruar për disa orë aty derisa u gjet nga një qytetar i rastësishëm.