Në Korçë janë arrestuar dy persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në pikën kufitare të Qafë Thanës është arrestuar Arjet Jonuzi, i cili ishte në kërkim pasi gjykata e ka dënuar me 1 vit e 5 muaj burg për veprën penale “Ndërtim i Paligjshëm”
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kapën shtetasin në kërkim Arjet Jonuzi, 50 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec e ka dënuar me 1 vit dhe 5 muaj burgim, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec”, njofton policia.
Gjithashtu është arrestuar dhe një 29-vjeçar, i cili ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli”.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit R. Sh., 29 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 29-vjeçari ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli”, të finalizuar më datë 14.09.2023, nga strukturat e Policisë Korçë, pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ushtronte aktivitetin kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.