Masakra me tre viktima, e ndodhur në muajin tetor të vitit të shkuar në Klos, nuk ka asnjë person përgjegjës. Asnjë nuk do të ulet në bankën e të akuzuarit, pasi Prokuroria e Matit, ka vendosur të pushojë ndjekjen penale duke argumentuar se personi përgjegjës që ka kryer krimin, është vetëvrarë.
Gazetari Elton Qyno shkruan për “Oranews” se sipas legjislacionit penal s’mund të ushtrohet ndjekja penale për një person që ka vdekur. Kjo pasi për vrasjen me armë zjarri pistoletë të babë e bir, Kenado dhe Ilir, prokuroria e Matit ka identifikuar si autor të krimit, Fiqiri Mjeshtrin. E përveç tyre Fiqiri Mjeshtri, ishte autor dhe i plagosjes së rëndë të Renato dhe Eglantin Hasula.
Hetimet e zhvilluara nga prokuroria e Matit, nuk kanë provuar implikimin e asnjë personi tjetër të armatosur, që ka sjellë vrasjen apo plagosjen e 4 personave të mësipërm.
Si ndodhi masakra e Klosit?
Dy të miturit përkatësisht Kenado Shira (viktimë) dhe Renado Hasula (i plagosur) njiheshin me vajzën e Fiqiriut, e mitur. Kjo histori ishte diskutuar edhe më herët nga të dyja familjet, por kërcënimet kanë vijuar e kishin arritur deri në pikën që vajza nuk shkonte dot më në shkollë. Dhe më 12 tetor u realizua një takim i dytë. Fiqiri Mjeshtri ishte i shoqëruar nga dy vëllezërit Besnik (ky ishte polic bashkiak) dhe Bakir Mjeshtri, ndërsa Renato dhe Kenado kishin ardhur me prindërit e tyre, përkatësisht Liri Shira dhe Eglantin Hasulaj për t’u sqaruar në lokal.
Në bisedë e sipër, Mjeshtri i kishte kërkuar njërit prej të miturve, që të martohej me të bijën, por kur si përgjigje mori refuzimin dhe fyerjet për vajzën, mxorri armën nga brezi dhe qëlloi me armë zjarri. Të vdekur mbetën Kenado e babai i tij, ndërsa u plagosën Renato bashkë me të atin. Pasi qëlloi mbi 4 persona, Mjeshtri, pronar i një galerie kromi u largua nga vendi i ngjarjes, dhe u vetëvra.