Dalin detaje të reja nga procedimi i dy drejtorëve dhe dy specialistëve në bashkinë e Korçës, të cilët janë akuzuar nga prokuroria e Korçës për shpërdorim detyre duke i shkaktuar një dëm ekonomik arkës së shtetit prej 30 milion lekësh.
Burime të siguruara pranë grupit të hetimit thanë se janë gjetur shkelje në procedurën e lejeve të ndërtimit për 20 subjekte.
Sipas të njëjtit burim të proceduarit nga ana e prokurorisë, për qëllime përfitimi personal i kanë dhënë leje ndërtimi objekteve të deklaruara, leje që kanë qenë për shtëpi banimi ndërkohë që këto subjekte janë shfrytëzuar për tregti.
Taksat e ndikimit në infrastrukturë për objektet e banimit është 3% e vlerës së investimit ndërkohë që për objektet e shërbimit dhe tregëtisë kjo taksë është 8% e vlerës së investimit
Hetimi ndaj 4 punojësve të bashkisë së Korçës mësohet se ka filluar me indicie nga organet ligjzbatuese.
Gjykata e Korcës ka njohur të 4 të proceduarit me masat e sigurisë “Detyrim Paraqitjeje” si dhe pezullim nga funksionet që mbanin.
Bëhet fjalë për Zhaneta Lubonja, drejtore e planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të territorit, Ermal Gjermani përgjegjës i këtij sektori pranë kësaj drejtorie,Olvas Petro, specialist i buxhetit me cilësinë e specialistit të përllogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë si dheSoniel Prifti, drejtor i drejtorisë së taksave dhe tarifave vendore.