Pas ngjarjes së rëndë në Hercegnovi të Malit të Zi, ku tre të rinj shqiptarë u dhunuan nga shtatë agresorë që dyshohen me shtetësi malazeze, ka mbërritur një ditë më pas, në banesën e tij në fshatin Vërdovë, Doris Kopaçi, i riu që përjetoi sulmin e agresorëve në Mal të Zi.
Nga gjendja e tij e traumatizuar ai nuk ka pranuar të flasë me mediat por jashtë kamerave ka thënë për gazetarët se as ai as shokët e tij nuk kanë provokuar agresorët por kanë qenë këta të fundit të cilët kanë shkuar tek ata dhe i kanë dhunuar pa asnjë arsye.
Ai shton se janë goditur me sende të forta në kokë dhe në trup ndërsa vetë të rinjtë sipas Kopaçit nuk janë kundërpërgjigjur sulmit të agresorëve.
Më herët, të afërmit e 25-vjeçarit Doris Kopaçi, janë shprehur jashtë kamerave se djali i tyre ishte nisur drejt Gjermanisë për të punuar, për shkak të kushteve tejet të vështira, në kohën kur ndodhi incidenti.
Ata thonë se djali i tyre ndodhej në sediljen e pasme të automjetit kur ka ndodhur ngjarja dhe ka refuzuar të dali nga mjeti në momentin kur agresorët i janë drejtuar makinës.
Familjarët ishin tepër të shqetësuar për këtë situatë madje nuk kanë dashur të flasin përpara kamerave sipas tyre ata kanë kontaktuar me 25 vjeçarin i cili u ka thënë se po kthehet në shtëpi pas kryerjes të të gjitha procedurave.
Ndërkohë i kontaktuar në telefon vetë shtetasi, Doris Kopaçi refuzoi kontaktin me mediat por shpjegoi se tashmë autoritetet e Malit te Zi dhe të Shqipërisë do ta hetojnë këtë rast.