Edmond Papa (Hoxha), një biznesmen 49-vjeçar u vra pasditen e sotme në Tiranë, pas një atentati që iu bë në mes të një lokali. Viktima dyshohet të jetë ndjekur gjatë gjithë ditës nga autori. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se autori, i paidentifikuar e ka gjurmuar me këmbë deri në lokalin ku Papaj është futur rreth orës 16:30 në lokalin në pronësi të V.Sh., në rrugën “Fadil Bodinaku”, në zonën e njohur si Selita në Tiranë.
Ai kishte udhëtuar nga Saranda drejt Tiranës dhe ishte ulur në lokalin në lagjen ku banonte i vëllai. Por, në momentin që është futur në lokal, autori, i maskuar me kapuç, ka qëlluar 9 herë me një pistoletë të llojit “Glock”, në drejtim të bizmesmenit dhe më pas është larguar nga vendngjarja përmes rrugicave.
Ai ishte pronari i vetëm i hotelit “Blue Sky”, me vendndodhje në portin e Sarandës. Gjithashtu, në të dhënat e regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit bëhet me dije se Papa ka pasur dhe një biznes që tregonte kafe në zonën e plazhit të Livadhës. Ky biznes rezulton i çregjistruar.
“Neli 98”, një kompani që vepronte në Selenicë të Vlorës ka qenë gjithashtu e administruar nga Papa, por tani është pezulluar si aktivitet.
49-vjeçari ishte në një lokal në zonën e Selitës këtë pasdite, kur u qëllua me armë zjarri. Ai u dërgua në spitalin e Traumës, por ndërroi jetë në momentin që do të futej në sallën e operacionit. Edmond Papa ka jetuar në Londër dhe ishte i dënuar për trafik droge në Greqi. Vrasja dyshohet se ka ardhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës në kryeqytetin britanik.