Personi që po shihni në foto është Elton ‘Kastriot’ Kila, i njohur si Oti i Elbasanit, i riu që bandat kriminale e duan të vdekur. Ai rezulton pronar i disa bizneseve dhe nuk kursehet të reklamojë jetën e tij të luksit në rrjetet sociale.
Në foto ai shfaqet me makina të ndryshime të tipit Ferrari dhe Audi, ndërsa nuk mungojnë as udhëtimet me jahte luksoze në vende turistike.
Oti i Elbasanit, tani kërkohet nga bandat kriminale në qytet. Elton Kila i ka shpëtuar 4 atentateve mafioze. I parafundit ishte ai i 29 marsit 2022, të cilin do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili u nis ta vriste me urdhër të Suel Çelës, i njohur për përfshirjen e tij në disa veprimtari kriminale.
Kujtojmë se në vitin 2018, Oti i Elbasanit u vu në pranga pasi ishte i kërkuar për trafik droge në Itali. Po në këtë vit u vunë në sekuestro pasuritë e tij me vlerë 71 milionë lekë të reja, ku përfshiheshin: një ndërtesë 5-katëshe, me sipërfaqe banimi 1502 m2; njësi Shërbimi 400 m2; tokë bujqësore 5200 m² dhe shoqëria tregtare “KILA TRANS” sh.p.k, të gjitha në Elbasan.
Ndër të tjera bëhet me dije se, në muajin tetor të 2018-ës, i janë sekuestruar edhe 39 makina luksoze dhe 6 motomjete në 3 pika shitje të mjeteve, të dyshuara se janë të përfituara nga veprimtaria kriminale.