Gazetarja Klodiana Lala është shprehur se familja e të zhdukurit të shumëkërkuar, Ervis Martinaj nuk ka bërë lëvizje në llogaritë bankare që prej zhdukjes së 40-vjeçarit. E ftuar në ‘NeWs24′, Lala tha se ata nuk mbajnë as shuma të mëdha parash në banesa. Këtë gjë, e vërtetoi dhe operacioni i zhvilluar ditën e sotme, që nxorri nga Fushëkuqja vetëm municione luftarake. Para, nuk u gjetën as në banesën e familjes së Martinajt dhe as në shtëpitë e xhaxhallarëve të tij.
“Ajo që më bën gjithashtu përshtypje është mosgjetja e asnjë shume monetare në banesat e tyre. Që pas zhdukjes së Martinajt, nuk ka pasur asnjë lëvizje parash në llogaritë bankare, qoftë të Martinajt që jo, por as të familjarëve të tij. Duket sikur ata nuk kanë jetuar,”- tha Lala.
Lala tha se policia po ‘hiqet’, po u lë njerëzve të kuptojnë se ai është ende gjallë, kur sipas saj, ende nuk kanë asnjë të dhënë ku bazohen. Lala tha gjithashtu se prokuroria ka tërhequr dosjen e atentatit ndaj Ylli Ibrahimit dhe po përpiqen të bëjnë lidhjen e dosjeve.
“Për mua nuk ishte surprizë, duke qenë një zonë si Fushëkuqja, policia prej vitesh e ka pasur shumë të vështirë të hyjë, më kujton fshatin Zezë në Nikël. Sot duhet të themi dhe diçka, nëse deri më tani ka pasur vetëm një hetim, fakti që është shkuar në banesë ka pasur diçka. Policia po lë përshtypjen sikur ai është gjallë, por hiqet, këtë përshtypje të jep. Këto veprime hetimore duhet të ishin bërë që në gusht, ndaj mendoj që ka një arsye shumë të fortë. Prokuroria ka tërhequr dosjen e atentatit ndaj Ylli Ibrahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi. Kjo sepse një nga të dyshuarit ka dalë në një tjetër përgjim. Po përpiqet të lidhen dosjet,”- tha Lala ndër të tjera.
Sot, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Fushëkuqe, Vlorë dhe në Shijak, ku janë kërkuar gjurmë e të dhëna që do të mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit, Ervis Martinaj. Fushëkuqja e Kurbinit, zona ku dhe jeton familja e Martinajt ishte e rrethuar për pesë orë gjatë ditës së sotme. Por, deri më tani nuk është raportuar për gjetjen e ndonjë të dhëne të re në lidhje me fatin e ish-bossit të lojërave të fatit. Policia e Shtetit doli nga Fushëkuqja me armë e municione luftarakë, por pa ndodnjë gjurmë konkrete që mund të zgjeronte hetimet për 40-vjeçarin e zhdukur.