Rritet paga mesatare në vend. Sipas Institutit të Statistikave në tremujorin e tretë të vitit paga mesatare e një të punësuari arriti në 61 613 lekë. Në raport me një tremujor më parë rritja ishte modeste me vetëm 947 lekë, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë paga mesatare u rrit me 5 178 lekë.
Statistikat tregojnë për një rritje të ndjeshme të pagave për sektorët më pak të paguar në vend, si bujqësia, industria, ndërtimi, tregtia e shërbimet. Paga për këto degë të ekonomisë ka qenë me gati 5 mijë lekë më e lartë se kundrejt një viti më parë, megjithatë sërish këto aktivitete vijojnë te mbetet më pak të paguarat në vend, shumë poshtë pagës mesatare në rang vendi.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, rritja ka qenë e papërfillshme. Kjo është edhe një nga arsyet që këto sektorë së fundmi veçanërisht po vuajnë edhe gjetjen e fuqisë punëtore, për shkak edhe të emigracionit të lartë.
Ndërkohë më të mirë paguarit vijojnë të jenë të punësuarit në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ku paga e tyre mesatare është gati dyfish më e lartë se ajo mesatare në rang vendi. Një i punësuar në këtë sektor ka një pagë mesatare prej 119.1 mijë lekë, duke u rritur me gati 10.5 mijë lekë kundrejt një viti më parë. Megjithatë në raport me një tremujor më parë paga e tyre është ulur ndjeshëm.
I njëjti trend këtë tremujor ka ndodhur edhe me pagën mesatare të atyre që punojnë në aktivitetet e informacionit dhe telekomunikacionit që renditen të dytët më të paguar me një pagë mesatare rreth 94 mijë lekë. 8.7 mijë lekë është rritja e pagës mesatare për ta kundrejt një viti më parë. Të tretët më të paguar janë të punësuarit në administratën publike dhe fushën e mbrojtjes me një pagë mesatare prej 71.6 mijë lekë.
Ndërkohë, sipas INSAT sa i takon pagës mesatare për të punësuarit në grup-profesionet e menaxherëve, ligjvënësve, nëpunësve të lartë dhe drejtorëve ekzekutivë paga e tyre është gati 63% më e lartë se mesatarja në nivel kombëtar. Për profesionet elementare ndërkaq, paga mesatare e tyre është 36% më e ulët se ajo në rang kombëtar.
Top Channel