Gazetari Artan Hoxha ka folur për vrasjes e vajzës Keniane, Joy Aoko, ngjarje e cila ende nuk është zbardhur dhe nuk ka autor. Në fjalën e tij, gjatë emisionit “Të Paekspozuarit”, gazetari Artan Hoxha tha se veprimet e policisë dhe prokurorisë kanë qenë të ngadalta dhe se ata ende nuk kanë asnjë përgjigje për ngjarjen.
Po ashtu, Artan Hoxha shtoi se ndalimi i shoferit u bë për të “shfryrë” ngjarjen dhe se më pas ai është liruar, ndërkohë që i ka bërë apel hetuesëve që të zbardhin ngjarjen e plotë.
“Vajza ka punuar te kazinoja te Sheratoni dhe pastaj ka kaluar te kazinoja tjetër, që është e së njëjtës kompani, kompani e rrjetit Apex te stadiumi. Ngjarja është kriminale dhe ka sjellë këtë pasojë. Kjo vajzë që punonte me dokumenta të rregullta, fillimisht është plagosur rëndë dhe pesë muaj më pas ka humbur jetën në Kenia. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, ka qenë fillimi i muajit gusht. Në momentin e parë ngjarja nuk ka patur pasojë vdekjen dhe media nuk i kushtoi rëndësi. Ngjarja shpërtheu në shtator.
A ka patur vullnet për ta hetuar?
Ngjarja është bërë e madhe për të thënë që është implikuar aksioneri i kazinosë tjetër. Të dy aksionerët kryesorë dalin me lidhje të kryeministrit. Cili është problemi konkret?
Në momentin që konstatohet ngjarja, veprimet hetimore të policisë duhet të ishin kryer më shpejtë dhe jo të arrsetohej shoferi pas gjashtë muajsh. U shfry ngjarja me ndalimin e shoferit. Pas 48 orësh shoferi u la i lirë. Sot kjo ngjarje nuk ka autor.
Nuk e dimë, a e kanë hedhur nga ballkoni? A është hedhur vetë? Kush e ka hedhur nga ballkoni? Ne nuk e dimë. Prokuroria nuk na ka dhënë asnjë përgjigje. Kur kemi të bëjmë me kompani të mëdha biznesi, oficerët e policisë gjyqësore janë pak më të kujdesshëm. Në këto raste përpiqen ta kalojnë pa zhurmë. Kur kemi të përfshirë personazhe të rëndësishëm, dashamirësia e autoriteteve është të mos i shqetësojnë. Deri në këto momente ne nuk kemi ende një autor, ende një përgjigje nga autoritetet. Është rast kur është bërë protestë dhe zhurmë nga mediat, por fakt është që drejtësia nuk ka dhënë përgjigje.
Edhe kur është gjetur në tokë, ka qëndruar me orë të tëra pa ndihmë. Ne kërkojmë të provohet kush është i përfshirë. Shpenzimet për ta çuar në spital i ka bërë kazinoja. Por çfarë vlere ka?,”- tha Hoxha.