Kushtet për të fituar vitet e punës; Çfarë duhet të dinë pensionistët

Astrit Hado, kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore thotë se problemi i dokumenteve me pensionet nuk nis nga ky institucion, por se mbas mbylljes së kooperativave dokumentet fillimisht u ruajtën nga këshillat dhe gjatë tranzicionit kaluan pranë arkivave.

Mbas vitit 2000 Instituti i Sigurimeve Shoqërore i disponon këto dokumente. Ai tregon ish kooperativat më problematike, të djegurat dhe arshivat. Hado tregon edhe fenomenin e pensionistëve fantazmë, të cilët nuk ekzistonin por persona të tjerë përmes një skeme mashtruese kanë përfituar pensione. Në prokurori janë referuar 4500 dosje të tilla. Problemi tjetër lidhet me subjektet private, një fenomen i mbas 1994 , të cilët mashtrojnë qytetarët që punojnë duke mos derdhur kontributet.

-Jemi në studio me drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore zotin Astrit Hado. Pyetja ime e parë z. Hado është përse kaq shumë qytetarë që kanë hapur konflikte gjyqësore?

Gama e problematikave që ka Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në fakt është e madhe , është e gjerë, që fillon që nga mosnjohja e periudhave të vjetërsisë në punë, periudhës së komunizmit ose mosnjohjes së periudhave të sigurimit pas viteve 1994. Pasi pas viteve 1994 në bazë të ligjit nuk konsiderohet më periudha vjetërsi në punë por quhet periudhë sigurimi që do të thotë do konsiderohet periudhë sigurimi vetëm periudha në të cilën janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. Ka edhe problematika të natyrave të ndryshme pastaj që kanë të bëjnë me mënyrën e llogaritjes së pensioneve me njohjen apo me mosnjohjen e të drejtave. Kështu që pasi kalojmë të gjithë shkallët e e ankimit administrativ që janë përcaktuar në ligjin e sigurimeve shoqërore, gjykata është e vetmja ose më saktë është rruga e fundit ku qytetarët përplasen. Përgjithësisht shumicën e çështjeve gjyqësore ne i kemi për mosnjohjen e vjetërsisë në punë, periudhës së komunizmit. Por tashmë në fakt po na shtohet edhe numri i çështjeve gjyqësore për mosnjohjen e periudhave të sigurimit pas viteve 1994 .

-Në fakt, shifra e qytetarëve që presin në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë apo edhe në 2 gjykata të shkallës së parë administrative të Tiranës dhe të Lushnjës janë shifra të larta. Ky fenomen ka vite që vërehet në gjykata dhe që pranohet edhe nga vetë gjyqtarët. Megjithatë që të shpjegojmë për publikun përse ne vazhdojmë ende të kemi të trajtuar gjyqësisht cështjet e mosnjohjes në vjetërsi në punë. Nga u shkaktua kjo problematikë?

Kemi iniciuar në fakt, kemi miratuar dy vendime të qeverisë të cilët i japin të drejtë Institutit të Sigurimeve Shoqërore që ti zgjidhë në mënyrë administrative një pjesë të mirë të rasteve të mosnjohjes të vjetërsinë në punë, të periudhës së komunizmit, para viteve 1994 dhe duke zbatuar procedurën administrative të ankimimit, ne zgjidhim një numër të konsiderueshëm rastesh . Raste të cilët nuk kanë asnjë mundësi që të zgjidhen në mënyrë administrative, ngelet si mënyra e vetme vetëm zgjedhja gjyqësore, pra rastet që ne veçojmë në gjykatë ose që qytetari i drejtohet gjykatës janë raste të cilat nuk ka asnjë lloj dokumenti që të provojë faktin që ata kanë punuar, gjatë asaj kohe, ose janë raste të cilat kanë ndryshime gjeneralitetesh totalisht. Dmth. nuk është se është shkurtim po themi “Astrit” me “Titi” por është ndryshim komplet emri. Ose kemi raste psh. që qytetarët ne i gjejmë nëpër regjistra të ish-koorperativave bujqësore apo ish ndërmarrjeve shtetërore, ndërkohë që qytetari ka një librezë e cila është e dyshueshme që pretendon se ka punuar në një punë po themi minator nën tokë, ose ka punuar metalurg që ka qenë puna e kategorisë së parë. Ndërkohë që dokumentat që ne kemi vërtetojnë që ai ka punuar në një punë të zakonshme që është punë e kategorisë së tretë. Dhe qytetari pretendon se duhet të dalë më herët në pension. Sepse unë kam punuar në minierë.

– Zoti Hado, gjyqtari Dvorani theksoi se realisht është shteti përgjegjës për mbajtjen e dokumentacionit . Pse duhet të këmbëngulet kaq shumë nga ana e një institucioni shtetëror kur ai vetë është si një institucion përgjegjës për ti arshivuar dhe ruajtur ?

Sigurisht që Instituti i Sigurimeve Shoqërore është përgjegjës për arshivimin dhe ruajtjen e dokumentacionit por duhet të kemi parasysh që në këto 30 vjet tranzicioni nuk ka qenë poseduesi apo zotëruesi i dokumentacionit Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Dmth. dokumentacioni i vjetërsisë në punë të kohës së komunizmit në fakt ka ndërruar disa duar në momentin që janë mbyllur apo kanë falimentuar koorperativat bujqësore ky dokumentacion fillimisht është ruajtur pranë pranisë së këshillave popullore që kanë qenë pastaj ka kaluar në varësi apo në pronësi të arkivës shtetërore ( të themi ) dhe pastaj rreth viteve 2000 e ca ka kaluar në zotërim të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Dmth. ne kemi marrë në zotërim dhe në posedim dokumentacion arkivor të cilin na është vënë në dispozicion.

-Pse duhet që qytetari në finale kur pret që ti njihet vjetërsia në punë dhe ti garantohet marrja e këtij pensioni ai duhet të kalojë edhe një vështirësi tjetër?

Me çfarë të drejte , ne mund të paguajmë para për një individ i cili nuk ka asnjë lloj gjurme dhe asnjë lloj dokumentacioni që ne t’ia japim këtë të drejtë. Kemi goxha regjistra që kemi në zotërim të cilit në fakt kanë gabime të karakterit kanë emra të shkurtuar , janë regjistra pa mbyllur, kanë vetëm datën e fillimit dhe nuk kanë datën e largimit nga puna dhe në këto raste me dokumente të tjera ne këto nuk i çojmë në gjyq por i zgjidhim në mënyrë administrative që dmth. Nqs. qytetari e ka librezën e vjetër të punës dhe e ka regjistrin me datë fillimi dhe nuk e ka me datë mbylljeje , sigurisht që ne e marrim të mirëqenë. Ç’mund ti bësh një qytetari që thotë që unë kam punuar në kooperativa, marr një shembull po them në kooperativa Mëzës. Kur i kontrollon të 10 regjistrat e kooperativave Mëzes nuk e ka emrin fare. I kontrollon të gjithë borderotë që ne mund të kemi në dispozicion dhe nuk i del emri fare në 10 vjet dhe nuk ka asnjë lloj dokumenti që të ketë . Ose si mund t’ia njohësh vitet e punës një personi i cili thotë që unë kam punuar në kooperativën bujqësore Thumanë e cila është e djegur në fakt, dokumentet e kooperativës Thumanë janë djegur kur i shikon certifikatën familjare 6 fëmijët e vet i ka lindur në Kukës ose në Dibër.

-Ne duhet të kemi parasysh edhe dicka tjetër. Për të përsëritur se çfarë tha z. Dvorani , qytetari nuk është përgjegjës për shumë zhvillime sa i takon zhdukjes së dokumenteve. Meqënëse ishim tek 1997, arshivat e Thumanës dhe shumë qyteteve të tjera është shkatërruar në atë kohë apo jo? Kjo solli një vështirësi për çdo qytetar i cili i duhej të përballej për të kërkuar të drejtën e tij përfshirë edhe të drejtën e pensionit. Pse duhet ai qytetari nga Thumana , pavarësisht se ka krijuar familjen në Kukës tju vërtetojë Ju, që ka qenë vërtet dhe ka punuar në kooperativë. Provojeni ju që nuk ka punuar.

Këtë i themi. Përderisa ju i keni lindur të gjashtë fëmijët është grua dhe i ke lindur të gjashtë fëmijët në Kukës , nuk ka shanse që të punojë ajo në kooperativën e Thumanës. N.q.s. se ju i keni lindur të 6 fëmijët , të gjashtë në Kukës, në kohën e komunizmit nuk lejohej që të punoje nga rrethi në rreth po nuk kishe pasaportizimin , nuk ka shanse që ti të kesh qenë e punësuar për 10 vjet në kooperativën e Thumanës.

-Pse mos të jetë e drejta në favor të kësaj shtetaseje ?

Sepse nuk ka asnjë lloj dokumenti që ta provojë një gjë të tillë dhe ne kemi të drejtën e dyshimit. Se për sa i takon kooperativave të djegura, ne i kemi zgjidhur 3-4 vjet tashmë ne kemi nxjerrë një vendim qeverie. Ne propozuam dhe qeveria miratoi që të gjithë kooperativat e djegura ne nuk i çojmë më në gjyq , ne thjesht iu kërkojmë disa dokumenta, një pjesë e tyre i verifikojmë vetë . Kemi faktin që a kanë qenë anëtarë të kooperativës deri në shtator 1991 kur kooperativat u mbyllën? A kanë marrë tokë sipas ligjit 7501 dhe fakti që ata kanë marrë tokë sipas ligjit 7501 dmth. që kanë qenë anëtarë të kooperativave dhe ua “dhurojmë” të gjithë periudhën që nga mosha 14 vjeç deri në shtator 1991.

-Cilat janë qytetet që ju i vëreni që janë më problematike për skemën e pensioneve, bazuar në paditë dhe konfliktet gjyqësore?

Më problem janë për sa i përket kooperativave bujqësore është Shkodra që ka problematikë sa i përket mënyrës së mbajtjes të dokumentacionit, Tiranës, sigurisht sepse ka shumë ndërmarrje ps.h. është ndërmarrja Gjergj Thimto që ka problematikë , është “Autotraktorët”, është miniera “e Valiasit”, që ka një numër të madh , është ndërmarrja e ndërtimit “Josif Pashko”, se edhe ajo janë djegur , Dibra, Kukësi dhe Korca deri diku, Mëzesi, Krraba që kanë problem. Sepse është edhe problemi i falsifikimit, një numër të madh të gjyqeve është problemi i falsifikimit që njerëzit mund të kenë punuar 5-6 vjet në këtë minierë dhe pjesën tjetër kanë punuar në kooperativë ose në ish ndërmarrjet e tjera dhe për të përfituar nga statusi i minatorit se dalin 5-10 vjet më herët kanë falsifikuar regjistrin e minierës ndërkohë që mënyra e mbajtjes së dokumentacionit në atë kohë ka qenë ndryshe. Ne në vitin 2007 deri nga viti 2008, ne bëmë një auditim të të gjithë dosjeve të pensionit të lidhura nga viti 1997 deri në 2007 dhe kemi kontrolluar rreth 100.000 dosje të pensioneve urbane , sepse pensionet e kooperativës nuk kishte falsifikim sepse interesi ishte të kaloje nga pensioni kooperativë në pension shteti sepse ishte dyfish pensioni i shtetit me kooperativën në atë kohë dhe ne kemi prerë në atë kohë diku tek 5000-6000 pensione. Për shkak të këtyre që thashë dublimeve të vjetërsisë në punë, kalimi nga kooperativa në shtet dhe me falsifikim datëlindjesh dhe të gjithë këta që kanë patur datëlindje false janë të gjithë të gjithë referuar në prokurori. Besoj se duhet të jenë rreth mbi 4500 dosje të cilat janë referuar në prokurori duke filluar nga viti 2007 e më tej.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *