Një 4-vjeçare mendohet se është lënduar këtë të enjte në qytetin e Krujës, brenda ambienteve të çerdhes.
Bëhet me dije nga burimet për media se e mitura është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është rrëzuar në çerdhen që frekuentonte.
Paraprakisht mësohet se vajza është dëmtuar në dorë dhe kanë qenë familjarët ata të cilët e kanë shoqëruar për mjekim.
Ngjarja ka ndodhur këtë të enjte në Krujë, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu një ngjarje tjetër është shënuar në Tiranë, ku një 2-vjeçare është djegur me bishtin e cigares. Ditën e djeshme e mitura është paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalin “Nënë Tereza”, e shoqëruar nga nëna e saj.
Ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, gjatë kohës që vëllai i saj 9-vjeçar ka qenë duke luajtur. Hetimet po vijojnë edhe për këtë ngjarje, për të arritur konkluzionet përfundimtare.