“Më vjen keq vetëm për motrën, por u mbush kupa”, dëshmia e djalit që vrau babanë

“Donte ta merrte përsipër pasi në një fare mënyre ishte shkaku i sherrit”, ka rrëfyer 25-vjeçari Hysen Meta, pasi e motra e tij 19-vjeçare Hygerta Meta deklaroi në polici se ishte ajo që e kishte vrarë të atin dhe më pas e kishte varrosur në kasollen pranë banesën në Shënavlash të Durrësit.

Hysen Meta mësohet se ka pranuar para policisë se ishte ai që qëlloi babain me pistoletë, por nuk ka shprehur pendesë për krimin e kryer, duke u shprehur se i ati ua nxinte jetën.

“Marr përsipër autorësinë, nuk jam penduar. Me vjen keq vetëm për motrën dhe vëllain se nuk kanë faj fare”, mësohet se ka thënë ai para hetuesve.

25-vjeçari Hysen Meta ka treguar edhe dinamikën e ngjarjes, nga vrasja e të atit mesditën e 10 shkurtit, tek denoncimi në polici i zhdukjes së tij më 13 shkurt dhe më pas zbulimi i trupit të Pëllumb Metës të groposur në kasolle më 22 shkurt.

“Po unë e qëllova. Debatuam keq. Ishin edhe anëtarët e tjerë të familjes në shtëpi. Ishte data 10 shkurt. Në mesditë ka ndodhur ngjarja. Nuk ishte hera e parë që debatonim. Aty u mbush kupa. Kur ikte ai ne pune i thoshim njeri-tjetrit na nxiu jetën, me këtë njeri nuk jetohet. Mesditën e 10 shkurtit, gjatë debatit mora pistoletën dhe e qëllova disa herë. Nuk me kujtohet sa herë e shkrepa armën. Ishim ne dhome, atë e mbuloi gjaku.

Bashke me motrën dhe vëllain e morëm trupin, e mbështollëm me plastmas mos të rridhte gjak. Me pas hapëm gropën brenda kasolles me qëllim mos të na shikonte njeri.

Gjatë mbrëmjes zhvendosem trupin nga shtëpia deri te kasollja, e mbuluam aty. Me pas planifikuam se çfarë do të thoshim në polici. Pasi zhdukem trupin, duhet te  zhduknim makinën. E morëm makinën dy dite më pas dhe çuam diku afër sektorit Rinia. Pastaj erdhëm në polici. Më pas dihet, ndodhi ajo që e dini edhe ju, e zbuluat.

Donte ta merrte përsipër motra pasi në një fare mënyre ishte shkaku i sherrit. Por e vërteta është kjo që them unë. Marr përsipër autorësinë, nuk jam penduar. Me vjen keq vetëm për motrën dhe vëllain se nuk kanë faj fare”, ka dëshmuar 25-vjeçari.

NGJARJA

Familja Meta nga një zonë e Krujës kishin vite që ishin vendosur në Shënavlash. Pëllumb dhe Blerina Meta ishin prindër të katër fëmijëve, të dy vajzave, njëra prej të cilave e martuar, dhe e dy djemve, që tashmë, të dy janë në qeli. Pëllumbi mësohet se punonte në një varrezë makinash dhe në të shumtën e kohës shërbente si roje nate në një nga pikat më të mëdha të zonës, ndërkohë që në familje kishin plasur debatet për fejesën e Hygertës, studente e vitit të parë, me një djalë që ajo nuk e donte.

Sherri mes saj dhe të atit duket se është edhe shkaku, që djali i madh i ka marrë jetën të atit mesditën e 10 shkurtit. Krimi i rëndë i ndodhur në familje është munduar të fshihej nga fëmijët, të cilët duke ndihmuar njëri-tjetrin, kanë hartuar edhe skenarin e fshehjes së trupit. Në kasollen e bagëtive, ngjitur me shtëpinë, kanë hapur një gropë dhe pasi janë përpjekur të pastrojnë vendin e ngjarjes, e kanë mbështjellë të atin me çarçaf dhe e kanë futur në gropën që kishin hapur.

Duke qenë se fëmijët kanë mundur ta kenë kohën në dispozicion për të menduar mekanizmin se si të vepronin, ata kanë vendosur të zhdukin armën e krimit, të çojnë automjetin në një vend larg shtëpie, të kujdesen që brenda banesës të mos kishte asnjë gjurmë, e për pasojë, pas tri ditësh, djali i madh ka bërë edhe denoncimin e zhdukjes.

Policia ka nisur kërkimet por për 10 ditë nuk u dha asnjë informacion në lidhje me ‘zhdukjen’ e Pëllumb Metës, 49- vjeçarit nga Shënavlashi. Mbrëmjen e së enjtes, policia ka vënë në pranga vajzën, e cila ka dëshmuar se gjithçka e kishte bërë vetë dhe vetëm.

DËSHMIA E VAJZËS

Në momentin që policia ka mbërritur në familjen Meta, pasditen e së enjtes, mësohet se ka pasur një informacion konfidencial që nuk flitej për zhdukje, por për diçka më të rëndë. Dhe në fakt, ashtu ka rezultuar. Policia ka folur me vajzën e familjes, Hygertën, të cilën edhe e kanë shoqëruar në komisariat. Pas disa tentativash për ta marrë në pyetje, ajo është dorëzuar dhe ka treguar gjithçka, po në versionin që kishte vendosur të tregonte në polici. Ajo ka thënë se e kishte vrarë vetë të atin dhe e kishte varrosur e vetme në kasollen ngjitur me shtëpinë.

Në momentin kur policia e ka pyetur se ku e ka siguruar armën e krimit, vajza ka thënë se e mbante i ati, meqë punonte roje. Ajo fillimisht ka këmbëngulur se nuk e dinte se ku ishte arma, por ditën e djeshme ka treguar vendin ku e kishte hedhur. Më pas ka dëshmuar konfliktet e vazhdueshme me të atin për një fejesë që ajo nuk e pranonte. Policia fillimisht e ka pranuar rrëfimin e saj, ndërkohë që janë survejuar dhe mbajtur nën vëzhgim edhe tre anëtarët e tjerë të familjes, nëna dhe dy vëllezërit. Përgjatë së djeshmes, policia ka shoqëruar edhe tre pjesëtarët e tjerë, ndërkohë pas rezistencës së tyre që nuk kanë dijeni për çfarë ka ndodhur, djali i madh është dorëzuar: Po, e vrava unë! E vrava se donte ta fejonte motrën pa lejen e saj”!

Policia ka rimarrë sërish në pyetje vajzën, e cila sërish ka këmbëngulur se e ka bërë vetë vrasjen se i ati i kishte nxirë jetën, se nuk donte ta linte të vazhdonte shkollën, se nuk ishte e penduar, se personi që ai kishte zgjedhur për ta fejuar nuk ishte i duhuri për të. Vajza 19 vjeçe ka vijuar të mbrojë vëllezërit për t`i lënë jashtë historisë së krimit horror, pa e ditur që vëllai i madh, jo vetëm kishte pranuar krimin, por kishte treguar se motra nuk kishte asnjë faj!

POLICIA

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë, u bë me dije se Pëllumb Meta i cili ishte denoncuar i zhdukur 10 ditë më parë, ishte vrarë dhe groposur nga fëmijët e tij, në kasollen e lopës afër banesës së tij në fshatin Shënavlash të Durrësit. Vrasja ishte kryer mesditën e 10 shkurtit në një nga dhomat e banesës, sipas ekspertizës mjeko-ligjore që iu bë kufomës pas zhvarrosjes. Më 13 shkurt, djali i madh i viktimës bën denoncimin në polici, ndërsa më 22 shkurt policia gjen të varrosur 49-vjeçarin në banesë ndërsa ekspertiza mjeko ligjore konfirmon se ai ishte vrarë me 4 plumba. E një ditë më pas policia arreston dy djemtë e viktimës dhe vajzën e tij ndërsa nis hetimet për nënën e tyre, 49 vjeçe e cila fshehu krimin.

Sipas policisë djali i madh Hyseni, 25 vjeç dhe vajza e vogël, Hygerta, 19 vjeçe janë bashkautorë në vrasjen e të atit ndërsa djali tjetër Amarildo, 21 vjeç, ka ndihmuar vëllanë dhe motrën për fshehjen e kufomës. E ëma Blerina akuzohet se fshehu krimin. Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hita doli pasdite në një konferencë për median ku zbardhi gjithë dinamikën e asaj ngjarje që kishte nisur me denoncimin e 25-vjeçarit më 13 shkurt në polici se i ati ishte zhdukur.

“Nga intensiteti i veprimeve hetimore u arrit të konkludohej më 22 shkurt se nuk kishim të bënim me zhdukje por krimin e rëndë të vrasjes në familje. Të dy fëmijët e viktimës, Hysen Meta, 25 vjeç dhe vajza H.M, 19 vjeçe, kanë qenë bashkautorë në këtë krim të rëndë. Ndërsa djali tjetër Amarildo Meta me veprimet e tij aktive ka ndihmuar vëllanë dhe motrën për fshehjen e kufomës. Hetohet në gjendje të lirë, Blerina Meta, 49 vjeçe nëna e tre fëmijëve pasi ka kryer veprime që pengojnë të vërtetën” deklaroi Hita.

Vrasja ndodhi mesditën e 10 shkurtit 2023 brenda në një dhomë në banesë, tre ditë para se 25-vjeçari i cili konsiderohet dhe njeriu që ka shkrehur pistoletën, të ketë bërë denoncimin në polici.

Më pas trupi i viktimës është transportuar dhe varrosur në kasollen që ndodhej afër.

“Shtetasit kanë deklaruar se motivi i vrasjes kanë qenë konfliktet e vazhdueshme që kanë pasur dhe nxitja prej babait për një periudhë kohe që vajza të fejohej pa dëshirën e saj”. Hysen Meta ka pranuar krimin në polici pasditen e sotme, ndërsa gjatë ditës ishte vajza 19 vjeçare e cila merrte përsipër krimin duke deklaruar se e kishte kryer vrasjen pasi donte ta fejonte pa dëshirën e saj, por deklaratat e saj nuk e bindnin policinë. Arma e krimit pistoletë model 54 u gjet në një kënetë pranë fshatit.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *