Është zbardhur dëshmia e Aleks Markut në polici, pasi ditën e djeshme mbajti peng dy djemtë e tij të mitur dhe qëlloi me kallashnikov në Durrës.
Ai ka pranuar konfliktin me bashkëshorten, e cila sipas tij ishte e lidhur me dikë tjetër. Ai ka pohuar se i mori fëmijët sepse donte t’i largonte nga i dashuri i gruas dhe pretendon se ky i fundit po vinte për ta sulmuar, prandaj kishte dalë me kallashnikov në dritare.
“Unë me fëmijët kam katër ditë që qëndroja në shtëpi në plazh dhe fëmijët ishin shumë mirë me mua. Gruaja kishte ikur në Itali dhe kemi disa kohë që kemi debate me njëri-tjetrin. Nga debati i fundit që patëm ajo u largua për në Itali dhe unë mora fëmijët dhe erdhëm në Durrës. Ajo ka dashnor dhe prandaj doja t’i largoja fëmijët. Dje në shtëpi kanë ardhur dashnorët e saj për të na sulmuar dhe unë prandaj dola në dritare duke qëlluar që të largoheshin. Nuk i kam bërë gjë fëmijëve, thjesht djalin e mora me vete në ballkon kur po qëlloja, që ta kisha dëshmitar. Nuk jam treguar i dhunshëm me fëmijët“, ka deklaruar në polici Aleks Marku.
Autoritetet thonë se djalin, në momentin që qëllonte, po e mbante në ballkon dhe i kishte mbushur mendjen që nëse vinte policia t’i tregonte policisë se disa burra kanë ardhur të na vrasin.
Nëna me fëmijët tashmë janë kthyer në Lezhë dhe nuk ndodhen në apartamentin në Shkëmbin e Kavajës. Me bashkëshorten ai ishte martuar prej 11 vitesh dhe ajo e kishte denoncuar në Komisariatin e Lezhës, për dhunë psikologjike.
Për Aleks Markun pritet të dalë testi i drogës. Marku terrorizoi fëmijët dhe fqinjët tek Shkëmbi i Kavajës nga ora 2 e natës deri në mëngjesin e djeshëm teksa qëllonte me kallashnikov brenda banesës me qira. Pas orësh të tëra negociata ku pjesë u bënë forcat RENEA, Marku doli nga banesa dhe u dorëzua.