Një vajzë adoleshente është shpëtuar 248 orë pas tërmetit shkatërrues të javës së kaluar në Turqi.
17-vjeçarja Aleyna Olmez u nxor nga rrënojat në Kahramanmaraş, një qytet jugor pranë epiqendrës.
Xhaxhai i saj i përlotur u tha shpëtimtarëve “nuk do t’ju harrojmë kurrë”, teksa i përqafoi një nga një. Aleyna mbijetoi, e plagosur dhe në kushte të motit të ftohtë, për 10 ditë. Por shpëtimet si ajo po bëhen gjithnjë e më të rralla.
Më shumë se 41,000 njerëz kanë vdekur në Tukey dhe Sirinë fqinje nga tërmeti me magnitudë 7.8 ballë. Asnjë vend nuk ka treguar se sa njerëz janë ende të zhdukur.
“Ajo dukej se ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo hapi dhe mbylli sytë,” tha për agjencinë e lajmeve AFP Ali Akdogan, një minator qymyri që mori pjesë në shpëtim.
“Kemi një javë që punojmë këtu në këtë ndërtesë… jemi të lumtur sa herë që gjejmë një gjë të gjallë – qoftë edhe një mace”, shtoi ai.
Por festimet nuk zgjatën shumë. Menjëherë pas shpëtimit, ushtarët turq urdhëruan njerëzit të largoheshin nga vendi i ngjarjes, pasi ekipet po gjenin kufoma që do të transportoheshin së shpejti.
Në të njëjtin qytet, tre gra dhe dy fëmijë u gjetën të gjallë të mërkurën.
Ndërkohë Kombet e Bashkuara (OKB) nisën një “apel të shpejtë” të enjten për 1 miliard dollarë ndihmë për të ndihmuar viktimat në Turqi.
Financimi do të ndihmojë 5.2 milionë njerëz gjatë tre muajve të ardhshëm dhe do të lejojë organizatat e ndihmës të “rrisin me shpejtësi” mbështetjen e tyre, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres .
Dhe në Siri, OKB-ja tha se më shumë se 100 kamionë të ngarkuar me ndihma kanë kaluar në veri-perëndim të vendit, pasi qeveria siriane ra dakord të lejojë OKB-në të përdorë dy pika të tjera kufitare .
Ndihma përfshinte tenda, batanije, ngrohës, ushqim, ilaçe dhe komplete testimi të kolerës, tha organizata.