Një 27 vjeçar shqiptar në Itali është vënë pas hekurave pasi u zbulua se ai ishte pjesë e një grupi “skifterash”. I riu i quajtur Klisman Nikolli është nga radhët e policisë së shtetit, ndërsa është zbuluar se ai kishte marrë leje për arsye shëndetësore.
Por e vërteta ka qenë ndryshe. Në fakt raportohet se ai shpesh merrte leje dhe largohej jashtë shtetit, madje ka qenë për disa kohë nën vëzhgim se merrej me punë “të pista”. Pas lajmit se ai 27 vjeçari ishte arrestuar sot në Itali për vjedhje, së bashku me dy bashkëatedhetarë të tjerë, Viktor Bilani dhe Flor Koca, shefi i policisë e ka përjashtuar.
Policia e Shtetit bëri me dije mbrëmjen e sotme se ai është pranuar në Akademinë e Sigurisë për shkak se është djali një dëshmori të policisë, pra të policit të ndjerë Mark Nikolli.
Ndërkohë familjarët e Klisman Nikollit, efektivit të Policisë, tashmë të përjashtuar nga radhët e uniformave blu, kanë mohuar lajmet e medieve italiane për arrestimin e 27-vjeçarit, për vjedhje në Itali.
Ka qenë nëna e 27-vjeçarit, Gjelina Nikolli, e cila ka thënë për “Ballkan web”se i biri nuk ndodhet në Itali, por në Gjermani dhe se lajmet për të birin, sipas saj janë shpifje.
“Ne jemi familje dëshmori. Janë të gjitha gënjeshtra, shpifje e intriga të keqdashësve të familjes Nikolli. Dje kam folur me djalin, më tha që ndodhet në Gjermani te nipi”, ka thënë Gjelina Nikolli.Babai i të riut, Mark Nikolli, efektiv dhe rapsodi i njohur në Lezhë humbi jeten në vitin 2003, vetëm 100 metra larg Policisë së Lezhës. Nikolli, 46 vjeç në atë kohë, ka qenë duke ecur në këmbë në rrugë në momentin që autori Martin Pjetri, i vënë tashmë në pranga, e qëlloi.Arsyeja ishte gjakmarrja, pasi motra e Mark Nikollit i kishte marrë jetën babait të Marjan Pjetrit.