Finalizohet operacioni “Night Sales” në Korçë pas një hetimi prej një muaji. Pas operacionit policor janë vënë në pranga 2 persona të identifikuar si Ilirjan Bardhushi dhge Lajdan Lamllari.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Sekuestrohen rreth 500 gramë kokainë, armë të ftohta dhe shuma parash të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Finalizohet pas një hetimi 1-mujor, operacioni policor i koduar “Night sales 5”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta në doza dhe posedimit të armëve të ftohta.
Shpërndanin lëndë narkotike kokainë në qytet dhe posedonin armë të ftohta në banesat e tyre, vihen në pranga 2 shtetas.
Procedohet penalisht dhe një 41-vjeçar, për moskallëzim krimi, pasi kishte dijeni për veprimtarinë kriminale që ushtronin 2 të arrestuarit.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, bazuar në inteligjencën informative se dy shtetas në qytetin e Korçës, shpërndanin në qytetin e Korçës, droga të forta në doza të vogla, si edhe posedonin armë të ftohta në banesat e tyre, pas 1 muaji hetime në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Night sales 5”. Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
-I. B., 55 vjeç, banues në fshatin Ravonik, Korçë dhe L. L., 35 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. Ll., 41 vjeç, banues në fshatin Ravonik.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e shtetasve I. B. dhe L. L., gjetën rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e saj e ndarë doza, 2 peshore elektronike, mjete që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike në doza, shuma parash në valuta të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, 1 bajonetë metalike, 1 thikë, 1 automjet tip “Nissan” dhe 4 celularë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Ll., pasi kishte dijeni për veprimtarinë kriminale që ushtronin 2 shtetasit e tjerë, por nuk ka kallëzuar në organet e rendit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.