Të paktën një muxhahedin është konfirmuar i vdekur në kampin e MEK në Manëz të Durrësit, gjatë përplasjes me forcat e policisë që kanë ushtruar një kontroll të befasishëm mëngjesin e sotëm.
Doktori i muxhahedinëve është shprehur se iraniani ka ndërruar jetë pasi është bllokuar nga gazi lotësjellës i hedhur nga efektivët e policisë. 200 të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë konfrontimit, tha ai.
“Sot policia shqiptare erdhi te zona jonë e komunitetit “Ashraf” kanë përdorur forcërisht gaz ndaj njerëzve, po të përdorësh shumë gaz në afërsi të personave, i shkaktohet vështirësi në frymëmarrje. Janë dhe 200 të lënduar. Një prej tyre nuk e ka patur të mundur të mbushet me frymë, dhe ka humbur jetën. Ne kemi pasur shumë marrëdhënie miqësore me shqiptarët dhe qeverinë, ndërkohë nuk kuptojmë pse na kanë sulmuar. Pse duhet t’i marrin kompjuterat forcërisht dhe të ushtrojnë dhunë. Turp për policinë shqiptare”, deklaroi mjeku iranian brenda kampit “Ashraf 3” ku ndodhet trupi i pajetë.
Një tjetër anëtar i MEK dyshohet se ka ndërruar jetë dhe trupi i tij është transportuar në morgun e Tiranës.
Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme ndërkohë, ka mohuar se viktima ka humbur jetën si pasojë e përplasjes. Dyshohet se muxhahedinët kanë kundërshtuar bastisjen e policisë dhe tentativën për sekuestrimin e dokumenteve dhe pajisjeve elektronike.