Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Elbasanit pas një atentati të dështuar mbrëmjen e së shtunës. Në pranga ka përfunduar Arben Spahiu, kunati i Erjon Alibej, i cili sipas burimeve për Panorama Televizion dyshohet të jetë organizatori i atentatit ndaj Elton Kilës, i njohur ndryshe si Oti i Elbasanit.
Vëllai i Arjan Spahiut i ekzekutuar më 28 nëntor të vitit 2020 në Belgjikë për larje hesapesh që lidhen me trafikun e drogës, sipas burimeve, është vënë në pranga për shkak se në çantën e dorës të hedhur në një kosh pranë automjetit të braktisur janë gjetur një kartë identiteti dhe një pasaportë greke e falsifikuar me emrin e tij.
Në prangat e policisë ka përfunduar edhe Arsen Preçi, banesa e të cilit ndodhet shumë pranë automjetit të braktisur ku gjetën disa armë të shtunën në mbrëmje.
Ky është atentati i katërt i dështuar ndaj Elton Kikës, ndërsa Spahiu kishte organizuar eliminimin e tij për llogari të grupeve kriminale. Sipas burimeve, autorët kishin planifikuar ta qëllonin atë brenda në automjeti. Në momentin kur ishte parashikuar të kryhej atentati, Kila ka qenë duke udhëtuar nga Tirana drejt Elbasanit ndërkohë që në automjet ndodhej bashkë me fëmijët.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se faktet janë mbledhur nga këqyrja e pamjeve filmike nga qelizat telefonike. Në momentin kur kanë konstatuar prezencë të forcave të policisë në zonë, dy autorët kanë janë larguar duke lënë automjetin pranë stadiumit “Elbasan Arena”.
Njëri nga dy të arrestuarve, Arsen Preçi ka hedhur në koshin e mbeturinave çantën e supit brenda të cilës janë gjetur pistoleta dhe dy mjete identifikuese që kanë çuar policinë drejt zbulimit të autorëve. Po ashtu në çantë janë gjetur edhe maska dhe doreza që do të përdoreshin prej tyre për të humbur gjurmë pas krimit.
Mësohet gjithashtu se automjeti BMWX6 që do kryhej atentati ishte i vjedhur ne qytetin e Shkodrës, ndërsa targat ishin vjedhur në Elbasan.
Elton Kila është dënuar vetëm për pastrim parash, ndaj autoritetet i kanë sekuestruar disa pasuri.
Emri i Kilës doli në dëshminë e të penduarit të drejtësisë Henrik Hoxhaj i cili rrëfeu para hetuesve se bashkëpunëtori i tij Nuredin Dumani i kishte premtuar 70.000 euro për vrasjen e vrasjen e Kilës pasi i kishte dërguar foton e tij.
Atentati i radhës ndaj Kilës u zbulua mbrëmjen e së shtunës në vendin e quajtur ish-konservimi pranë Stadiumit të Elbasanit.
Policia zbuloi një automjet tip fuoristradë, në bordin e të cilës u sekuestruan dy armë të llojit kallashnikov, dhjetëra fishekë, si dhe një shishe me lëndë ndjekëse, e cila do të përdorej për djegien e automjetit pas kryerjes së atentatit.