Parku i Divjakës është tashmë me pagesë. Banorët e zonës kanë dalë sot në protestë pasi kundërshtojnë vendosjen e traut në park duke detyruar çdo vizitor që të paguajë një tarifë të caktuar për të hyrë brenda tij. Konkretisht, çdo vizitor detyrohet të paguajë 50 lekë të reja ndërkohë për automjetet është vendosur një tarifë prej 150 lekësh të reja.
Protestuesit kanë shtyrë kabinën e vendosur në hyrje të parkut ku çdo person që dëshiron të futet brenda tij duhet të ndalojë për të bërë pagesën. Ata kanë mbajtur në duar pankarta të ndryshme ku në njërën prej tyre shkruhet “Fëmijët tanë duan oksigjen”.
Protesta ka vijuar prej disa ditësh pasi qytetarët ishin lajmëruar për vendosjen e kësaj mase, ndërkohë situate është tensionuar prej ditës së djeshme kur është vendosur edhe trau. Policia ka krijuar kordon në aksin kryesor të rrugës në mënyrë që të shmanget bllokimi i sajnga protestuesit.
Me banorët është edhe deputeti Erion Braçe i cili tha se është e papranueshme vendosja e traut në atë zonë, ku pengon kalimin e rrugës kombëtare. Deputeti tha se jo vetëm ata që shkojnë në park, por edhe ata që duan të shkojnë në plazh duhet të paguajnë, në një rrugë që është kombëtare.
Ai ka hedhur edhe akuza duke thënë se Ministria e Mjedisit ka kërcënuar Bashkinë e Divjakës se do të “fluturojnë” nëse nuk e lejojnë vendosjen e traut, teksa tha se të marrë çdo nismë për të goditur këtë paligjshmëri.