Pasuritë e Ervis Martinajt i kalojnë shtetit! Ja vendimi i FUNDIT i Apelit të GJKKO

Gjykata e Apelit të Posaçëm lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestron e 34 pasurive të Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij.

Apeli nuk legjitimon avokatin për pasuritë në emër të Ervis Martinajt, pasi nuk kishte prokurë të posaçme nga ky i fundit, por ishte firmosur nga familjarët.

Ndërkohë që edhe në lidhje me pasuritë në emër të këtyre të fundit, nuk ndryshoi asgjë nga sa më parë ishte shprehur GJKKO.

600 milionë euro! Kjo është pasuria e Ervis Martinajt. Kështu thotë të paktën gazetarja e njohur e kronikës, Anila Hoxha.

Shifra është e “çmendur”, por jo për ata që e njohin botën e errët të basteve dhe faktin se 40-vjeçari dominonte tregun në Tiranë dhe rrethe.

Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.

Ervis Martinaj është përmendur edhe në gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.

Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale. Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në masakrën e ndodhur në Bllok në 4 tetor 2018, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash.

Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani.

Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të bandës së Durrësit.

Vendimi i Apelit të Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Nertina Kosova (anëtare) dhe Florjan Kalaja (anëtar), sot më datë 17.03.2023, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 48 akti, datë 07.03.2023 regjistri, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit V.K., A.K., M.M., V.M., E.M., D.M., E.M., R.M., D.K., A.K. F.V., kundër vendimit nr. 5, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka disponuar mbi sekuestrimin e 34 pasurive.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Mospranimin e ankimit ndaj vendimit nr. 5, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ngritur nga avokati Mirash Martini në emër dhe për llogari të z. E.M.

– Ti njoftohet ky vendim avokatit Mirash Martini.

– Miratimin e vendimit nr. 5, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përsa i përket ankuesve V.K., A.K., M.M., V.M., D.M., E.M., R.M., D.K., F.V.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *