Kanë përfunduar hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në SHBA, ku aktori Florind Belliu dhe bashkëshortja e tij humbën jetën pasi ranë nga kati i 6-të i pallatit ku jetonin.
Ngjarja ndodhi në gusht të këtij viti ndërsa çifti dhe dy fëmijët e tyre të vegjël ishin në apartament.
Sipas hetimeve të poicisë së New York-ut, aktori 35 vjeçar e ka qëlluar me çekiç në kokë 28 vjeçaren, e cila ishte edhe shtatzënë. Florind Belliu i cili ishte me profesion aktor, e goditi bashkëshorten e tij Ornela Shehi me çekiç përpara se ajo të binte nga kati i 6 i apartamentit ku jetonin, mëngjesin e 6 gushtit. Mediat amerikane, shkruajnë se ajo që mbetet e paqartë është nëse 28-vjeçarja ra nga dritarja apo u shty nga Belliu, i cili u hodh vetëm pak momente më pas.
Vetëm pak çaste para rënies, fqinjët thanë se kishin dëgjuar të bërtitura. Në momentin e ngjarjes së rëndë në shtëpi ndodheshin edhe dy djemtë e vegjël të çiftit. Fqinjët treguan po ashtu se kishin dëgjuar njërin prej tyre të thërriste “Mami! Mami!”, në momentin që ata ranë nga kati i 6.
Fëmijët nuk ishin në gjendje të jepnin të dhëna që mund të ndihmonin autoritetet për të zbardhur se çfarë çoi në ngjarjen e rëndë.
Pak ditë para ngjarjes aktori kishte bërë një postim në një grup memesh në rrjetet sociale ku shkruante:
“Do kisha shumë dëshirë të vazhdoja të bëja meme, por nuk mundëm më! Po e shkruaj këtë përpara se të më detyrojnë të them gjëra që nuk janë dhe nuk i kam bërë. Më është bërë një kurth shumë i madh dhe i shtrirë në kohë shumë të gjatë. Janë përfshirë shumë njerëz prandaj nuk ia vlen të përmend emra. Për dy çunat e mi Schëibe dhe Raya. Kurrë në jetën time nuk kam shkelur asnjë ligj. As kam bërë ndonjë shkelje. Kam menduar se të flasësh dhe të thuash çfarë të duash është e drejta hyjnore. Përpara se të më detyrojnë me forma nga më të ndryshmet. Babi ju do shumë. Mi kanë kthyer të gjithë kundër. Me forma nga më të ndryshmet, secilin me arsyet e veta. Jam vetëm, vetëm fare nuk kam as njeri. Nuk kam si e nxjerr të vërtetën. Jam i pafuqishëm. Nuk gjej as avokat dhe as gazetar ta bëj publike. Më vjen keq. Kam vetëm Allahun. Ai më mjafton”, ka shkruar ai.