Petulla të fshira “Made in Korça”, Shapkat nga Çamëria, Fërgesë “Si qëmoti”, pjatat më të pëlqyera të turistëve

Te Piceri ERA te Blloku ka gjithnjë radhë. Të paktën 15-20 persona qëndrojnë me durim në rrugë dhe presin të lirohen tavolina si në oraret e drekës ashtu dhe të darkës.

Kjo është një pamje e zakonshme në shumë kryeqytete europiane, por jo për shqiptarët, të cilëve nuk u mungojnë zgjedhjet, pasi vendi renditet ndër të parët në botë për numrin e lartë të bareve e restoranteve në raport me popullsisë.

Në fakt, ata që presin janë turistë të huaj. Kthimi në traditën shqiptare të gatimit dhe orientimi bëri që ERA të jetë një nga restorantet më të njohur të kryeqytetit për turistët.

Jurgen Bame, drejtor i shitjeve dhe marketingut në ERA, thotë për “Monitor” se vetëm për vitin 2023 rritja e konsumatorëve të huaj për ta ka qenë 50% më shumë se vitin e kaluar, duke u shtuar jo vetëm gjatë pikut të sezonit turistik, por edhe gjatë muajve të tjerë të vitit.

Z. Bame pohon se departamenti i kreativitetit dhe inovacionit organizon ekspedita dhe udhëtime të ndryshme në trojet shqiptare, për të gjurmuar recetat më të spikatura dhe punojnë për t’i përshtatur në versionin “alla ERA”.

Si ndikon turizmi në numrin e vizitorëve të restorantit tuaj? A ka ndryshime sezonale në fluksin e klientëve?

Vitet e fundit (sidomos pas pandemisë), rritja e numrit të jashtëzakonshëm të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë është reflektuar edhe në rritjen e klientëve të huaj që zgjedhin restorantet tona.

Nëse para pandemisë, fluksi i vizitorëve shtohej gjatë tre muajve të verës, në këto tre vitet e fundit frekuentimi i lartë i ERA-s nga turistët ka qenë gjatë gjithë vitit, por pikun e arrin në periudhën prill – tetor.

Sipas statistikave që ne nxjerrim nga numri i vizitorëve gjatë këtij viti, rezulton se kemi një rritje me 50% të turistëve krahasuar me një vit më parë.

Gjithashtu gjatë sezonit veror kemi vënë re se klientela e huaj është e barabartë me atë vendase.

A keni ndërmarrë hapa të veçantë për të përmirësuar infrastrukturën e restorantit dhe shërbimin për të pritur sa më mirë turistët?

Qëllimi ynë është që të gjithë klientët, pa dallim si turist apo vendas, të ndihen “si në shtëpi”.

Ndaj çdo ditë përmirësohemi vazhdimisht, qoftë nga ana infrastrukturore apo dhe në burime njerëzore, për të ofruar një përvojë sa më të këndshme te klientët.

Interesi i lartë na nxiti që së shpejti të hapim edhe një restorant të tretë, në një zonë shumë të njohur të Tiranës me një koncept krejtësisht të orientuar në traditë dhe turistët do të kenë mundësi të provojnë nga një copëz Shqipëri në çdo kafshatë që ata do të shijojnë tek ERA.

Si konkurron restoranti juaj tradicional me opsionet e tjera të ushqimit dhe restoranteve të tjera që ofrojnë kuzhinë të ndryshme, sidomos ato të orientuara drejt turistëve?

Fatmirësisht ERA nuk është thjesht një restorant tradicional. Ne kemi një menu të pasur me 120 artikuj, ku përveç gatimeve më të veçanta të krahinave të ndryshme shqiptare, u ofrojmë turistëve mundësi zgjedhje për gatime mesdhetare apo ndërkombëtare, duke plotësuar nevojat dhe kërkesat e tyre nga më të ndryshmet.

Përgjithësisht ata janë të orientuar të provojnë specialitete apo gatime karakteristike të vendit që ata vizitojnë, për t’u njohur edhe me kulturën, traditën dhe historinë përmes udhëtimit në shije.

Cilat janë sfidat më të mëdha që hasni në përpjekjet për të përmbushur kërkesat e turistëve dhe për të ruajtur autenticitetin e kuzhinës tradicionale?

Një nga sfidat kryesore që mbetet edhe pas 23 vitesh përvojë në fushën e kulinarisë lidhet me kërkimin, gjurmimin dhe risjelljen e recetave autentike shqiptare.

Departamenti ynë i kreativitetit dhe inovacionit organizon ekspedita dhe udhëtime të ndryshme në trojet shqiptare, për të gjurmuar recetat më të spikatura dhe punojnë për t’i përshtatur në versionin “alla ERA”.

Një tjetër sfidë ka të bëjë me zhvillimin e burimeve njerëzore.

Për të pasur një shërbim sa më cilësor dhe profesional, ne punojmë gjatë gjithë kohës për trajnimin e stafit në lidhje me teknikat e shërbimit, njohjen dhe shpjegimin e duhur të recetave, si dhe përmirësimin e njohurive në gjuhët e huaja.


Cila është pjata më e kërkuar prej turistëve në restorantin tuaj?

Në fakt, janë shumë pjata tradicionale, të cilat preferohen jashtëzakonisht nga turistët dhe nuk mungojnë në asnjë porosi të tyre, por do të veçonim:

-Petulla të fshira “Made in Korça”

-Shapkat nga Çamëria

-Fërgesë “Si qëmoti”

-Dollma “Si nga dora e gjyshes”

-Tava e kosit

-Qofte furre me domate dhe narden

Si po i përdorni platformat e rrjeteve sociale për të arritur një audiencë më të gjerë turistësh?

Sigurisht që teknologjia dhe rrjetet sociale na kanë afruar më shumë me turistët dhe na kanë mundësuar që të shprehim virtualisht cilët jemi dhe çfarë ofrojmë.

ERA është e pranishme në të gjitha rrjetet sociale, ku turistët kanë mundësinë që përpara se të udhëtojnë në Shqipëri, të bëjnë kërkim në Google apo rrjetet sociale në mënyrë që të kenë një panoramë më të plotë rreth ambienteve, menusë, përshtypjeve etj.

Mund të duket pak e çuditshme, por në fakt kanë qenë vetë turistët që janë interesuar të parët për ERA-n, për të na vizituar dhe për të shijuar gatimet tona. Vetëm në muajin korrik në Google, ERA është klikuar mbi 500 mijë herë nga të huajt.

Sigurisht që për ne është një arritje dhe krenari e madhe, që turistët të kenë kaq interes të lartë për të na vizituar.

Të shumtë kanë qenë dhe “influencerat” nga shtete të botës që kanë ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale përvojën tek ERA, duke e vlerësuar maksimalisht shërbimin apo gatimet tradicionale shqiptare dhe i rekomandonin për t’i provuar me patjetër.

Në njëfarë mënyre kanë qenë vetë turistët që na kanë gjetur dhe promovuar te miqtë apo të njohurit në vendin e tyre.

Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet me komunitetin lokal, si po i mbështet turizmi, vendasit?

Pjesë e filozofisë së ERA-s është përdorimi i sa më shumë produkteve “Made in Albania” jo vetëm për t’u ofruar klientëve produkte shqiptare, por edhe për të mbështetur bizneset lokale, duke i konsideruar si partnerë kryesorë në zinxhirin tonë të furnizimeve.

Departamenti ynë i blerjeve është në kontakt të vazhdueshëm me furnitorë vendas për të zgjedhur produkte, të cilat përmbushin kriteret dhe standardet që ne kërkojmë.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *