Eriola Hoxha, partnerja e ish-ministrit Arben Ahmetaj, ka apeluar në Gjykatën e Posaçme të Apelit sekuestrimin e vilës në Hamallaj. Sipas saj, vendimi i SPAK ka bërë që ajo bashkë me Ahmetajn dhe fëmijën e mitur të jetojnë me qira, sepse nuk kanë një shtëpi tjetër.
Hoxha dhe Ahmetaj e konsiderojnë në kundërshtim me ligjin vendimin për sekuestrimin e vilës. Në dosje thuhet se blerja e vilës në Hamallaj është kryer me para të deklaruara nga bashkëjetuesja Eriola Hoxha, përmes rrugëve bankare.
Ahmetaj pretendon se vila nuk është deklaruar në ILDKPI, sepse bashkëjetuesja e ish-ministrit nuk është zyrtare e shtetit dhe ligji nuk i kërkon të deklarojë pasurinë.
Nga ana tjetër, në vendimin e ankimimit thuhet se metoda e ndjekur për sekuestrimin e vilës është “inkuizitore”, pasi në vendimin e gjykatës së shkallës së parë, nuk është e thënë në asnjë fjali se për çfarë aktesh materiale favorizuese ka kryer Arben Ahmetaj sa i përket çështjes së inceneratorëve.
Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme ka refuzuar dhe ankimimin e Arben Ahmetaj për kontrollet e ushtruara, në banesën e bashkëjetueses së tij dhe atë të ish-gruas. Ish-ministri kërkoi që kontrolli të shpallej antikushtetues dhe i paligjshëm, por kjo ankesë nuk u mor parasysh nga gjyqtari Dhimitër Lara.
Ai pretendonte se nuk ishte marrë leje nga Kuvendi për këto kontrolle, pasi ai është deputet dhe ka imunitet.