Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar dhe sqaron se nga ngjarja në Kodër Kamëz ka vrarë me armë zjarri motrën e bashkëjetueses së tij dhe kunatën e saj, ndërkohë që vetë ish-partnerja e tij dhe nëna kanë mbetur të plagosura.
Ndryshe nga sa u tha në fillim, se i vdekur kishte mbetur ish-vjehrri, bëhet me dije se të plagosurat dhe viktimat janë të gjitha gra. Autori Dan Hutra ka shkuar në shtëpinë e ish-bashkëjetueses dhe ka hapur zjarr me kallashnikov. Për pasojë:
Elena Hysa, 35 vjeçe, ish-bashkëjetuesja – E PLAGOSUR
Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e ish-bashkëjetueses – E PLAGOSUR
Mevlute Hysa, 30 vjeçe, motra e ish-bashkëjetueses së tij – E VDEKUR
Hasime Dafku, 30 vjeçe, e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses – E VDEKUR
Shërbimet e Policisë së Tiranës janë vënë në kërkim të autorit, i cili menjëherë pas ngjarjes është larguar me një Mercedes Benz. Nga autoritetet është shpërndarë dhe foto e tij dhe Policia kërkon ndihmën e publikut, për çdo informacion që mund të çojë në arrestimin e Dan Hutrës, sepse është një person i rrezikshëm.
Mësohet se 40 vjeçari është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023. Pra, vetëm dy javë më parë autori ka dalë nga qelia dhe sot, i armatosur me kallashnikov, ka kryer një ngjarje makabre.
Më parë, Dan Hutra ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.
Ja çfarë shkruhet në një lajm të 2007:
“Dan Hutra, 25-vjecari nga Vaqari i Tiranes, qe akuzohet per vrasjen me dy goditje thike ne zemer e melci te Dafina Havaljas, 22 vjece, nga Klosi, eshte rrefyer dje ne Gjykaten e Shkalles se Pare, gjate mases se sigurise, ndersa ka mbetur ne “arrest me burg”. Cifti ishte vendosur prej nje jave ne lagjen prane Fushes se Aviacionit ne kryeqytet, ndersa prej tete muajsh kishin lidhur kurore me mbleseri. Por, Hutra kishte qene nje here i denuar per heqje te lirise se nenes e kunates se tij dhe perdhunimin e kunates tjeter ne vitin 2003, krim per te cilin ka vuajtur vetem tre vite burg. “Po, une e kam vrare gruan time, Dafinen, me thike. Jemi grindur dhe me pas e kam goditur, por gjithcka e kam bere pa vetedije”, ka deshmuar 25-vjecari”
Paskuqan, Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:30, në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Do të ndajmë me publikun foton e autorit të dyshuar dhe mirëpresim çdo informacion për vendndodhjen e tij.
Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.
Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.