Ish-kryeministri socialist Fatos Nano, prej ditësh ndodhet në spital ku po lufton për jetën.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se lideri historik i Partisë Socialiste ndodhet në reanimacion, pasi vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK.
Kjo është një sëmundje (patologji) që prek mushkëritë dhe mund të parandalohet. Karakterizohet nga një ngushtim (obstruksion) i parikthyeshëm ose pjesërisht i rikthyeshëm i rrugëve ajrore.
Ky obstruksion zakonisht është progresiv dhe shoqërohet me një përgjigje inflamatore jo normale kronike të mushkërive kundrejt grimcave të pluhurit dhe/ose gazeve si psh: monoksidi i karbonit prezent në tymin e duhanit dhe dioksodi i karbonit që gjendet në ajrin e ndotur të ambientit që na rrethon.
Në Shqipëri kjo patologji nuk njihet mirë dhe si rrjedhojë ngelet e padiagnostikuar por studimet tregojnë që vendi ynë ka një prevalencë të lartë të SPOK-ut, duke prekur përafërsisht 5-6% të popullatës.
Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundje?
Duhanpirja është shkaku kryesor dhe më i zakonshëm. Njihen edhe faktorë të tjerë ndër të cilët përmenden: ndotja e ambientit, defiçitet e α1-antitripsinës, mosha, dieta ushqimore dhe aktiviteti i pakët fizik.