Një vit nga vrasja në Ferizaj, ku u përfshi vëllai i reperit kosovar, Betim Januzit i njohur me nofkën Buta janë zbardhur detaje të reja. Buta ka qenë dëshmitari i radhës në seancën e sotme, ku vëllai Qëndrim Januzi akuzohet për vrasje.
Buta tha se makina ishte e tij dhe jo e vëllait dhe tregoi se e njëjta ishte djegur 3-4 muaj para se të ndodhte ky rast. Gjithashtu reperi theksoi se në ditën e vrasjes kishte pasur koncert në Prizren, ku kishte qenë së bashku me vëllain e tij Qëndrimin, i cili kishte dhe rolin e menaxherit, ndërsa pas mesnatës ishin kthyer në Ferizaj.
“Rreth rastit të djegies së veturës, mediat kanë aluduar shumë për këtë pjesë, kjo më shumë është çështje mediatike, se unë e kam pas veturën e siguruar dhe u dogj 3-4 muaj para rastit. Ka kaluar kohë e gjatë nga koha e djegies së veturës, vëllai im Qëndrimi ka thënë se tani i ndjeri ka qenë një prej të mundshmëve që e ka djegur makinën, por kjo kurrë nuk është gjetur nga policia, kështu që nuk ka gjasa të jetë motivi, makina ka qenë e imja, vëllai im nuk ka qenë i dëmtuar, nuk ka qenë motiv djegia e veturës”, tha Buta.
Më tej gjatë dëshmisë Buta ka rrëfyer se pas kthimit nga koncerti, ai ka shkuar në shtëpi ndërsa vëllai i tij jo, dhe teksa ka dëgjuar të shtënat është lajmëruar në telefon nga një shoku i tij. Sa i përket viktimës reperi ka treguar se e kishte shok dhe se e kishte marrë nëpër koncerte, ndërsa beson që pikënisja e sherrit e të ndjerit ishte mosdhënia e disa parave që viktima ia kishte kërkuar.
“Pas 10-15 minutave kam dalë nga banesa për të blerë cigare dhe sapo dola jashtë kam dëgjuar të shtëna të armëve dhe sirena të policisë, atë moment më ka thirrë në telefon Yll Islami, të cilin e kam shok. I njëjti më ka thënë nisu për Spital se i ka ndodhur diçka Qëndrimit, e kam marrë makinën dhe jam nisur në drejtim të Spitalit. Viktimën e kam njohur, e kam pas shok, e kam marrë në koncertet e mia dhe e kam paguar, dy vitet e fundit i njëjti është ndje si i lënë pas dore nga ana ime. Fillimisht, ka qenë një rast ku i njëjti më ka kërkuar para për një rast të tij që e kishte në gjykatë ka thënë dëshmitari dhe nuk iakam dhënë”,-tha Buta.
Sipas dëshmitarit Buta, kërcënimet nuk i kishin raportuar në Polici, pasi kishin frikë nga viktima.
“Lidhur me kërcënimet që vinin nga ai ne nuk i kemi raportuar në Polici, pasi që kemi pasur frikë nga ai pasi që i njëjti na ka kërcënuar edhe me vdekje shumë herë”, -ka rrëfyer dëshmitari Buta.
Ngjarja ka ndodhur më 28 maj 2022, ku vëllai i Butës, Qëndrim Januzi akuzohet se ka vrarë ish-mikun e ngushtë të artistit, 30 vjeçarin Gazmend Hyseni, i njohur me nofkën Strella.