Gjykata e Durrësit ka caktuar masën arrest me burg për Rexhep Gjunin dhe kunatin e tij, Arben Selaj, të cilët akuzohen për rrëmbimin e 3-vjeçarit në Durrës.
Rexhep Gjuni është gjyshi i fëmijës së mitur, i cili është zhdukur që prej një jave. Ka qenë nëna e të miturit ajo që denoncoi në polici rrëmbimin e fëmijës së saj nga gjyshërit nga ana e babait.
Seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak se bëhet fjalë për një ngjarje me një fëmijë të mitur. Avokatja Arta Gecaj nuk dha shumë detaje nga senaca, duke lënë të nënkuptohet se nuk bëhet fjalë vetëm për marrjen pa të drejtë të fëmijës.
Rexhep Gjuni dhe Arben Selaj, vëllai i bashkëshortes së tij, u arrestuan menjëherë pas denoncimit të nënës së 3-vjecarit Ile Gjuni.
Në kërkim për këtë ngjarjes është gjyshja e fëmijës, Bahrije Gjuni. Nga hetimet e ngjarjes dyshohet se gjyshja bashkë me nipin e saj dyshohet se fshihen në zonën midis Kukësit dhe Hasit.
Nga burimet e policisë së Durrësit bëhet e ditur se gjyshja e fëmijës 3-vjecar ndihmohet nga vëllai tjetër i saj, shtetasi Flamur Selaj, 43 vjeç, ndërkohë që edhe ky është shpallur në kërkim.
Tashmë kanë kaluar 7 ditë që nga momenti kur Ile Gjuni trokiti në dyert e plicisë së Durrësit për të denoncuar moskthimin e djalit nga gjyshërit e tij.
Ndërkaq gjatë marrjes në pyetje të gjyshit që tashmë është i arrestuar vazhdon të mos flasë, duke vështirësuar punën e policisë për gjetjen e 3-vjeçarit.
Nëna e fëmijës, Ille Gjuni ka thënë se ka frikë për fëmijën dhe mendon se vjehrri dhe vjehrra mund ta kenë dërguar jashtë vendit. Ajo ka pohuar se mënjëherë pas vdekjes së bashkëshortit, prindërit e tij kanë dashur ta mbanin djalin.
“U bënë sot 4 ditë. Ma kanë marrë që të shtunën në mëngjes dhe s’ma kanë sjellë. Ata duan që të ma marrin çunin, që në fillim donin të marrenin. Kam ikur me zor. Por ata thoshin “të rrijë me ne”. Vjehrri dhe vjehrra. Vinin çdo fundjavë, ia lija unë disa orë. E morën të shtunën në mëngjes dhe s’e sollën më. I mora në telefon dhe më thanë “nuk ta sjellim më.” Kërkon ta marrë ai, nuk tregon se ku është fëmijë. Thotë që “nuk e di ku është”, por gënjen”, tha nëna e fëmijës disa ditë më parë për mediat.
E ëma e fëmijës pret me ankth gjetjen e të birit, ndërsa efektivët e policisë vazhdojnë kërkimet.