Seksi oral po shpërthen sifilizin në Shqipëri, mjekët: Shkak, marrëdhëniet me shumë partnerë dhe të pambrojtura

– Në Shqipëri, prej vitesh, sëmundja seksuale e transmetueshme e sifilizit po qarkullon tek të rinjtë, njëlloj si HIV, përmes rrugës seksuale.

Në një prononcim për Gazetasi.al, mjeku androlog Evi Dani thotë se kjo sëmundje transmetohet si pasojë e marrëdhënieve seksuale të lira. Sipas tij, seksi oral është shkaktari i infektimit me sifiliz.

“Sifilizi prej 2012 vijon të jetë prezent, megjithëse ishte zhdukur që në vitin 1972 nga qarkullimi në vendin tonë. Moshat e reja janë më të prekurit, por nuk ka statistika për numrin konkret të tyre. Duhet theksuar se një pjesë e të rinjve të infektuar me sifiliz, janë dhe të prekur nga HIV”, thotë për Gazetasi.al infeksionisti Arjan Harxhi.

Megjithëse kjo sëmundje është e mjekueshme, jo të gjithë të rinjtë janë të ndërgjegjësuar për rrezikun në shëndetin riprodhues, madje nëse nuk mjekohen mund të rrezikojnë edhe jetën.

Andrologu Dani thotë se jo të gjithë meshkujt janë të gatshëm të vizitohen tek mjeku dhe të nisin mjekimin. Ndërsa për mjekun Harxhi, problem mbetet dhe kura specifike për sifilizin që tek ne gjendet me vështirësi. Sipas Harxhit, sifilizi mjekohet akoma me penicilinë, megjithëse ajo gjendet me vështirësi pasi në të gjithë botën ka prodhim të pakët. Mjeku Harxhi thotë se transmetimi i sifilizit është seksual dhe bartës apo transmetues janë të dy gjinitë. Sipas tij, nëse nëna është e infektuar, mund t’ia transmetojë sëmundjen seksuale dhe fëmijës së porsalindur ndaj sipas tij, çdo grua shtatzënë duhet të testohet për sifiliz ndër të tjera.

“Benzatin penicilina nuk gjendet në spital, por vetëm mund të sigurohet në disa farmaci private. Mjekimi i sifilizit bëhet me mjekim alternative, por ajo që duhet theksuar është futja në skemën e mjekimit patjetër, pasi kjo sëmundje transmetohet dhe tek të porsalindurit”, thotë Harxhi.

Mjeku androlog Evi Dani, shpjegon se sëmundja është e kurueshme, por ajo që e bën këtë sëmundje të rrezikshme është fakti se thuajse të gjitha rastet janë zbuluar rastësisht. Për ekspertët, marrëdhëniet me shumë partnerë dhe të pambrojtura janë faktorët kryesorë të rritjes së të prekurve sifilizi.

“Përdorimi i prezervativit është një mënyrë e parandalimit të kësaj sëmundje. Kështu do të kemi një parandalim të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, jo vetëm sifilizin, por edhe shumë sëmundje të tjera, ku midis të tjerave edhe HIV-in . Në rastin konkret ne po themi se kjo sëmundje është midis nesh, është shumë e rrezikshme, është infektuese dhe gjithmonë duhet pasur kujdes”, shpjegon andrologu Evi Dani.

Por çfarë është sifilizi?

Sifilizi është ndër infeksionet më të rrezikshme seksualisht të transmetueshme dhe nëse nuk trajtohet, mund të çojë në dëmtime serioze të zemrës dhe sistemit nervor.

Sot sifilizi mund të identifikohet me disa teste të thjeshta laboratorike dhe mund të trajtohet me penicilinë. Por është thelbësore që të mos neglizhohet sepse dëmtimi i shkaktuar nga bakteri është i përhershëm.

Sipas grup-moshave, sifilizi haset në 2% të rasteve në grupmoshën 0-14 vjeç, në 9% të rasteve në grup-moshën 15-24 vjeç, në 68% të rasteve në grup-moshën 25-49 vjeç dhe në 14% të rasteve në moshën mbi 50 vjeç.

Marrë nga GazetaSi

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *