Një 59-vjeçar është proceduar penalisht, ndërsa djali i tij 29 vjeç është shpallur në kërkim, pasi akuzohen se kontrabandonin veshje nga Turqia dhe i shisnin si firmato në vendim tonë.
Ata i stamponin logo false të markave të njohura veshjeve të kontrabanduara dhe i shisnin me çmime shumë të larta.
Policia ka sekuestruar rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacioni policor i koduar “Brands”.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Kontrabandonin nga Turqia, veshje të ndryshme, i stamponin logo false të markave të njohura dhe i shitnin me çmime shumë të larta, procedohet penalisht 59-vjeçari dhe vijon puna për kapjen e djalit të tij.
Sekuestrohen rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brands”, në kuadër të të cilit ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. A., 59 vjeç, banues në Tiranë, si dhe po punohet për kapjen e djalit të tij, shtetasit D. A., 29 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta dy shtetas magazinonin në banesën e tyre dhe në dy subjekte në rrugën “5 Maji”, mallra (veshje) të dyshuara të kontrabanduara nga Turqia, të cilave i vendosnin logo dhe etiketa të markave të njohura, me qëllim për t’i shitur me çmime shumë të larta.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.