Një 41-vjeçar holandez, Jonathan Jacob Meijer, i dyshuar se është baba i më shumë se 550 fëmijë në mbarë botën përmes dhurimit të spermës mund të gjobitet me më shumë se 100 mijë € nëse vazhdon ta bëjë këtë gjë. Atij iu ndalua të dhuronte atë në klinikat e fertilitetit në Holandë në vitin 2017 pasi u zbulua se ai kishte më shumë se 100 fëmijë, por në vend që të ndalonte, ai vazhdoi të dhuronte spermë jashtë vendit dhe në internet. Tashmë një gjykatë në Hagë i ka kërkuar të sigurojë një listë të të gjitha klinikave që kishte përdorur dhe t’i urdhërojë ato që të mos përdorin spermën e tij, pasi sipas autoriteteve holandeze thonë një dhurues nuk duhet të jetë baba i më shumë se 25 fëmijëve në 12 familje të ndryshme.
Meijer u dërgua në gjykatë nga një fondacion që mbron të drejtat e fëmijëve të donatorëve dhe nga nëna e njërit prej fëmijëve që dyshohet se ka lindur nga sperma e tij. “Çështja është se ky rrjet farefisnie me qindra gjysmë-vëllezër dhe gjysmë-motra është tashmë shumë i madh.
Mbi 100 nga fëmijët e tij kanë lindur në klinika holandeze dhe të tjerë privatisht. Ai ka bashkëpunuar edhe me një kinikë daneze. Tashmë atij i ndalohet të kontaktojë ndonjë prind dhe të shprehë dëshirën “se ishte i gatshëm të dhuronte spermë… t’u reklamojë shërbimet e tij prindërve të ardhshëm ose t’i bashkohet ndonjë organizate që vendos kontakte midis prindërve të ardhshëm”, – tha gjykatësi. Ai shtoi se 41-vjeçari ka mashtruar shumë prindër duke mos iu treguar për numrin e madh të fëmijëve që kishte.
Donatorëve të spermës u thuhet të kufizojnë numrin e herëve që ofrojnë shërbimet e tyre, për të reduktuar mundësinë që vëllezërit dhe motrat mund të formojnë pa e ditur një çift dhe të kenë fëmijë së bashku. Holanda është goditur nga skandalet e fertilitetit në të kaluarën. Në vitin 2019, një mjek holandez i fertilitetit i akuzuar për përdorimin e spermës së tij për të inseminuar pacientët pa pëlqimin e tyre u konfirmua si baba i 49 fëmijëve.