Një i mitur u dhunua për tre vite rresht nga elektricisti i fshatit Funare në Librazhd, prej klasës së V-të deri në klasën e VIII-të që është sot.
Pas dhunimit ai u bullizua gjë që e çoi të ndërmerrte një akt të rëndë, atë të hedhjes nga kati i tretë i konviktit ku qëndronte. E gjithë historia u mbajt e fshehtë dhe asnjë institucion nuk mori asnjë masë.
Rast i rëndë u soll në emisionin investigativ Fiks Fare, ku u shfaqën video tronditëse të dhunës që ushtrohej ndaj të miturit, ku përveç elektriçistit dhunues, dikush tjetër xhironte skenën pa iu dridhur dora.
Kjo ka qenë edhe arsyeja që i mituri ka braktisur shkollën dhe është bullizuar nga bashkëmoshatarët.
Vetë fëmija në prezencën e të ëmës tregoi për gazetarët e Fiksit, se elektricisti Hysen Balliu e dhunonte, i zinte rrugën me motor dhe nuk e lejonte të shkonte në mësim.
Ai shprehet se nuk është ankuar për atë person te familjarët pasi nuk ka dashur t’i shqetësojë.
Situata bëhet akoma më e rëndë kur e ëma e të miturit tregon se fëmijën për shkak të bullizimit dhe mos vajtjes në shkollë vendosi ta çonte në një shkollë në Librazhd dhe të qëndronte në një konvikt fetar , i cili ishte pa pagesë, por që aty u hodh nga kati i tretë i godinës.
Dhe nga ai moment fëmijën e risolli në fshat, ku e riregjistroi në shkollën që kishte qenë , por që nuk e frekuenton. E ëma mohon të ketë dijeni për dhunën e ushtruar ndaj djalit.
Gazetarët e Fiksit kërkuan një përgjigje në shkollë , por drejtuesi i shkollës nuk dha asnjë koment me arsyetimin se nuk ishte i autorizuar nga zyra arsimore për të folur për rastin.
Ndërkohë ish drejtori i shkollës në një telefonatë tregoi se e ka denoncuar këtë rast në polici, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje.
Drejtori i konviktit ku i mituri qëndroi pak ditë, tregon se ai u hodh nga kati i tretë, dhe e përjashtoi. Por nuk lajmëroi asnjë institucion, vetëm i kërkoi familjes që ta merrte.
Gazetarët takuan edhe elektricistin i cili kishte një sjellje të çuditshme ndërkohë që gazetarët i tregonin videon ku dhunonte të miturin ai qeshte, për të kjo nuk është dhunë.
Emisioni investigativ në pak ditë mblodhi fakte tronditëse për të miturin, video në të cilat dhunohej barbarisht, dëshmi nga drejtuesi i konviktit ku pranon se i mituri u hodh nga kati i tretë, dhe kjo ngjarje u mbajt e fshehtë.
Ish drejtuesi i shkollës tregon se e ka denoncuar rastin, por nuk është bërë asgjë. Dhe në fund askush asnjë përgjegjësi. I mituri që i përket një familje me probleme të mëdha sociale dhe ekonomike vendos të mos përballet më as me bashkëmoshatarët, por të qëndrojë në shtëpi me të ëmën.
Nga heshtja e institucioneve dhe mosveprimi i tyre edhe i mituri është dorëzuar duke u mbyllur në shtëpi.