Nëse dikur banorët e bashkisë së Maliqit ankoheshin se nuk kishte vende pune, situata aktuale si për ironi është e kundërta. Vendet e punës nuk po gjejnë dot punonjës. Sado që mund të duket e pamundur por është e vërtetë që një bashki si Maliqi që ka numrin më të lartë të familjeve, krahasuar me numrin e popullsisë që trajtohen me ndihmë ekonomike papunësie, të mos gjejë dot punonjës për qindra vende pune të lira.
Faktin që ka vende të lira pune e pranojnë edhe qytetarët e Maliqit, të cilët shprehen se janë të pakënaqur me nivelin e pagave që nuk arrijnë të përballojnë çmimet e larta.
Në kushtet që një pjesë e mirë e krahut të punës në Maliq preferojnë të bëjnë punë sezonale në Greqi dhe ta marrin edhe ndihmën ekonomike si të papunë në bashkinë e Maliqt, kjo e fundit do të nisë selektimin e personave që u është ofruar punë.
2500 familje në bashkinë e Maliqit trajtohen me ndihmë ekonomike nga sistemi i ndihmëse ekonomike ç’ka tregon se krahu i punës nuk mungon, por mungon dëshira për të punuar.
Kryebashkiaku i Maliqit deklaroi se të papunët që refuzojnë punën, do të hiqen nga skema e ndihmës.