Majlinda Sula, motra e Saimir Sulës, të cilit i hoqën zemrën në një spital në Barcelonë dhe e sollën në Shqipëri ka krahasuar historinë e saj me atë të përplasjes së Mihal Kokëdhimës më turistët spanjollë. Teksa proteston për drejtësi për të vëllanë, Majlinda thotë se në atë rast, kryeministri Edi Rama bëri drejtësi, burgosi Kokëdhimën dhe i shembi restorantin, ndërsa për vëllanë e saj, po hesht. Ajo shton se është e bindur që të vëllanë ia kanë vrarë në spitalin e Barcelonës.
Pjesë nga prononcimi i saj:
“Gazeta më e madhe spanjolle më datë 19, tregon historinë e Mihal Kokëdhimës. Mihal Kokëdhima trembi dy turistë. Zoti Rama ju vonuat tre dite për ta zgjidhur këtë çështje me dy turistë spanjollë. Gazeta shkruan sërish pas 3 ditës, 22 gusht 2019 ju e kishit zgjidhur këtë çështje. Zoti Rama ke 30 muaj që ke heshtur. Turp! Ne nuk do ndalemi kurrë, sado e vështirë të jetë kjo çështje. Ne bëme edhe një protestë në Barcelonë dhe po organizojmë sërish një protestë në Bruksel. Kemi menduar që të dielën e parë të shkurtit do të protestojmë ne Bruksel, për zvarritjen e çështjes”, u shpreh motra e Saimirit.
E motra po ashtu dyshon per trafik organesh: “Ministri nuk ka kohë për një rast të trafikut të organeve. ADN kërkon familja, kemi 30 muaj që e kërkojmë. Në momentin që heshtin të gjithë institucionet unë kam të drejtën time të mendoj që Shqipëria dhe Spanja janë lidhur dhe kanë komunikuar. Rama dhe Sançes fshehin. Kjo heshtje të bën të dyshosh shumë gjera. Nuk di cfarë manipulimi mund të ketë. Nuk mund të kërkosh ADN e një zemre të bëhet në Spanjë kur ti si shtet akuzon Spanjën për trafik organesh. Zemra e Saimirit nuk ndodhet në Barcelonë, sepse po ta kishin në një laborator do bënin një ADN, nuk do zvarriteshe”.
Ajo thotë se janë të bindur se Samirin e kanë vrarë, ndërsa tregon edhe bisedën e fundit me të vëllain.
“Ne jemi të bindur që Saimiri u vra në spital në Barcelonë. Saimiri me telefoni dhe më tha, ‘Majlind hajde më merr se po më vrasin’. Kur unë mbërrita kishin kryer punë, e kishin vrarë. Kam një telefonatë zoti Rama, kam një telefonat në tru. Çdo mëngjes dhe çdo darkë unë kam këtë telefonatë në tru. Majlind hajde se po më vrasin”.
Asnjë zyrtar shqiptar nuk ka shkuar në Spanjë ku i riu Sula humbi jetën në mënyrë misterioze në një spital të Barcelonës ku shkoi për një temperaturë të lehtë. Madje askush nuk e ngriti zërin kur trupi i të ndjerit mbërriti në Shqipëri me zemër të shkulur. Autoritetet spanjolle dhe ato shqiptare nuk kanë dhënë asnjë konkluzion të ngjarjes makabre. Në 8 Maj 2020 Saimiri shkoi në spital për një test Covidi, pasi ishte me temperaturë. Testi rezultoi negativ. Majlinda, motra e tij, priste që Saimiri të dilte nga spitali, por pas një telefonate me të, nuk e pa më të gjallë vëllain. Spitali konfirmoi vdekjen e 31-vjeçarit rreth mesditës së 9 Majit 2020. Fillimisht nga spitali u tha, që Saimir Sula është axhituar dhe gjatë momentit të neutralizimit nga rojet e spitalit, i ka pushuar zemra. Por e motra thotë se Saimiri kishte shenja dhune në trup. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Barcelonë nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e vdekjes. Në telefonatën e fundit, e motra thotë se Saimiri i ka thënë: Majlinda po më vrasin!