Ndonëse u deklarua se nuk ishte shpenzuar ‘asnjë cent’ për promovimin mediatik të Shqipërisë si destinacion turistik këtë vit, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit paguan për dokumentarë si dhe akomodimin dhe ushqimin e gazetarëve dhe blogerëve të huaj.
Në fillim të shtatorit, anëtarë të kabinetit qeveritar u mblodhën në kinema “Millennium” për premierën e dokumentarit “Thesaret e Adriatikut- Shqipëri” të historianes dhe autores së njohur britanike, Bettany Hughes.
Në ceremoninë që i parapriu shfaqjes, ministrja e Kulturës, Elva Margariti e konsideroi atë “një promovim tjetër i Shqipërisë”, ndërsa ministrja e turizmit, Mirela Kumbaro theksoi që dokumentari ishte shfaqur në BBC dhe priste që të arrinte edhe ‘miliona e miliona shikues’.
Ajo që nuk u tha për publikun ishte fakti që dokumentari “Thesaret e Adriatikut” ishte pjesë e një fushate të Ministrisë së Kulturës për promovimin mediatik të turizmit këtë sezon veror dhe u mbështet me një fond prej 28.7 milionë lekësh.
Dhe nuk ishte i vetmi.
Lexo edhe:
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit i thanë BIRN në përgjigje të kërkesave për të drejtë informimi se kishin shpenzuar rreth 61 milionë lekë së bashku për promocionin mediatik të turizmit brenda dhe jashtë vendit gjatë periudhës 2022-2023.
Përveç dokumentarit të shfaqur në BBC, Ministria e Turizmit tha se kishte mbështetur me 8 milionë lekë Fondacionin “Dritan Hoxha” për realizimin e emisionit “Pushime on Top 2023” dhe me 4 milionë lekë qendrën “Dritare” të gazetares Rudina Xhunga për realizimin e një cikli promovues me titullin “Shqipëri, ku tjetër!”.
Ndërsa Agjencia Kombëtare e Turizmit i tha BIRN se si institucion përgjegjës për promovimin e Shqipërisë, kishte mbuluar shpenzimet për akomodim dhe ushqim të blogerëve, gazetarëve dhe stafeve të produksionit që kanë promovuar Shqipërinë në vende të ndryshme si Francë, Gjermani, Serbi me një vlerë prej rreth 2.3 milionë lekësh në total.
Gjithashtu, Agjencia tha se kishte shpenzuar 7.7 milionë lekë për promovimin e aplikacionit “TEA- Tourism of Events Albania” si dhe 10.2 milionë lekë për pjesmarrjen në ITB Berlin – një ndër panairet më të mëdha të turizmit në botë.
Sipas Agjencisë, zbatimi i politikave të marketingut në fushën e turizmit kishin si qëllim “krijimin e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik në tregun ndërkombëtar”.
Dikur vendi më i izoluar i Europës, Shqipëria u kthye në një destinacion popullor turistik këtë verë, ndërsa dhjetra artikuj për “perlën e panjohur të Mesdheut” qarkulluan në mediat ndërkombëtare. Artikujt u shpërndanë më pas në faqet në Facebook të kryeministrit Edi Rama, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.
Sipas Ministrisë së Turizmit, 8.3 milionë vizitorë të huaj e frekuentuan Shqipërinë gjatë 9 muajve të parë të vitit – një sukses që sipas një interviste të ministres Kumbaro për gazetën italiane “La Repubblica”, nuk ishte shpenzuar ‘asnjë cent’ për promovim mediatik.
Promovimi përmes emisioneve televizive, platformave sociale apo fushatave të marketingut janë një praktikë e zakonshme e promovimit turistik të një vendi dhe sipas ekspertëve të turizmit, edhe një nga faktorët e suksesit turistik të këtij viti. Faktorë të tjerë konsiderohen bukuritë natyrore ose kostoja ende e ulët.
Megjithatë, nevojitet një analizë e hollësishme për të kuptuar ndikimin e strategjisë së ndjekur me promovimin.
“Ministria duhet të monitorojë vazhdimisht performancën e fushatave dhe të përshtasë strategjinë në bazë të rezultateve për të arritur sukses në promovimin e turizmit në Shqipëri,” tha Albana Çule, eksperte në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik dhe rural.
E njëjta gjë vlen sipas saj dhe për aplikacionet apo panairet.
“Efikasiteti i panaireve varet nga se si është prezantuar Shqipëria, se si janë siguruar kontaktet dhe marrëveshjet, dhe se sa janë të bindur operatorët për të ofruar paketa turistike në Shqipëri,” përfundoi Çule.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
- Dokumentari “Thesaret e Adriatikut, Shqipëri” 28.705.002 lekë.
- Projekti i Fondacionit “Dritan Hoxha” në vlerën 8.000.000 lekë.
- Projekti i Qendrës “Dritare” në vlerën 4.000.000 lekë.
Agjencia Kombëtare e Turizmit
- Realizimi i emisionit për Shqipërinë me fokus turizmin 114,330 lekë
- Udhëtim gazetarësh, publicist, fotografë.. mbi promovimin në tregun gjerman 464,647 lekë
- Kompania D18 Francë, dokumentar “Shqipëria, perla e Mesdheut” 403,725 lekë
- Gazetarë me qëllim promovimin në tregun gjerman në “Radio GONG” 288,651 lekë
- Blogerë serbë për promovimin e Shqipërisë 185,120 lekë
- Grup gazetarësh, ekspertësh gjermanë “Promovimi i Shqipërisë Post-Covid-19” 40,000 lekë
- Gazetarët e huaj pjesmarrës në panairin “ITE Days” 457, 000 lekë
- Tur operatorët gjermanë nga DRV 364,000 lekë
- Promovimi i aplikacionit TEA – Tourism of Events Albania 7,740,000 lekë
- Pjesmarrja në panairin ITB Berlin 10, 278, 546 lekë
/BIRN