Është shtyrë seanca gjyqësore për vrasjen e Jonada Avdias, të miturës e cila u përplas për vdekje nga skafi i cili i drejtohej nga ish-efektivi i policisë, Arjan Tase.
Pas shtyerjes së seancës, për News 24 ka folur gjyshi i të miturës, i cili është shprehur se tani ata po fillojnë të dyshojnë te drejtësia.
Ai shton që prej 11 korrikut, ka pasur ndërrime dhe rokada që i bëhen prokurorit dhe gjyqtarit, gjë që sipas tij e bën të dyshojë që këneta e drejtësisë mban ende erë.
“Në gjashtë seanca, ndërrimi dhe rokada që i bëhen prokurorit dhe gjyqtarët, mua si kryefamiljar, që ruaj dhimbjen më të thellë, më bën të dyshoj që ende këneta e drejtësisë mban erë.
Çështja Jonada po fillon në rrëshqasë në llumin e drejtësisë dhe mos vlerësohet ashtu siç e vlerësuan të gjithë shqiptarët” tha ndër të tjera.
SI NDODHI NGJARJA?
Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022 në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7- vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga një gomonia me drejtues policin Arjan Tase, teksa ajo po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.
Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Për këtë ngjarje është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.
POLICËT E AKUZUAR PËR SHPËRDORIM DETYRE
Fatos Muka – shef i Sektorit të Kufirit, Vlorë
Neritan Buzi – shef Stacioni i Policisë Kufitare,
Dhërmi Lavdosh Alushaj – trup Shërbimi Kontrolli në bregdet
Bardhyl Mahilaj – trup Shërbimi Kontrolli në bregdet
Kristi Halili – trup Shërbimi Kontrolli në bregdet
Adhurim Duraj – specialist Rendi në Komisariatin Himarë
Bardhosh Alikaj – punonjës i Policisë Bashkiake Himarë
Altin Bunaj – punonjës i Policisë Bashkiake Himarë