U vra në grabitjen në Rinas, sekuestrohen 2 mln euro pasuri në pronësi të gruas së Admir Muratajt

Sekuestrohet pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro në Tiranë. Policia e kryeqytetit bën me dije se janë sekuestruar 1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore, në pronësi të Albana Alidhima Murataj, gruaja e Admir Muratajt.

Ky i fundit mbeti i vrarë në grabitjen e 10 milionë eurove në Rinasit në vitin 2019. Këto pasuri dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale të bashkëshortit të saj, i cili mbeti i vrarë pas grabitjes.

Ndërkohë hetimet janë në vijim për të zbuluar pasuri të tjera që 47 vjeçarja ose familjarët e saj, mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
Por çfarë deklaroi gruaja e Admir Muratajt në lidhje me bashkëshortin e saj dhe për grabitjen e bujshme?

Bashkëshortja e tij, aso kohë, u shpreh se nuk e kishte takuar dhe as të kishte kontaktuar me të prej shumë vitesh. Madje, siç ka deklaruar ajo, që prej arratisjes së tij nga burgu i Trikallasë në vitin 2013, nuk kishte asnjë informacion se ku kishte qëndruar apo se me kë shoqërohej. Në këto rrethana, edhe dëshmia e saj nuk ishte asnjë ndihmë për hetimet apo të hedhë dritë rreth ndonjë personi të mundshëm, me të cilin Murataj mund të ketë bashkëpunuar gjatë grabitjes.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga aktivitetet kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Relative”.

Sekuestrohen pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 2 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Relative”.

Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetases A. A. (M)., 47 vjeçe, banuese në Tiranë.

Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 2 milionë euro, konkretisht:

1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore.
Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i shtetases A. A.(M.), shtetasi A. M., i cili ka mbetur i vrarë gjatë grabitjes së një shume të konsiderueshme parash, në Rinas, në vitin 2019.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar pasuri të tjera që kjo shtetase ose familjarët e saj mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *