Gazetari Julian Kasapi, i ftuar në studion e emisionit “Open” në Neës24 ka zbuluar detaje lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në burgun e Peqinit, ku i dënuari Sokol Mjacaj qëlloi për vdekje Arben Lleshin dhe plagosi një tjetër të dënuar me armë zjarri.
Kasapi u shpreh se motivi i vetëm për këtë rast është vrasja me pagesë, duke marrë parasysh edhe historinë e hakmarrjes që ka mes fisit Lleshi ku bënte pjesë viktima dhe fisit Hoxha.
Ai u shpreh se arma nuk është futur në burg për shkak të mosfunksionimit të skanerit, apo përmes ushqimeve, pasi kontrollet janë shumë të imtësishme.
Sipas tij ka pasur një bashkëpunim me gardianët për sigurimin e armës brenda burgut, pasi ata janë hallka më vulnerabël e sistemit të burgjeve.
“Motivi i vetëm është vrasja me pagesë, duke marrë parasysh edhe historinë e hakmarrjes që ka mes fisit Lleshi dhe Hoxha. Arben Lleshit i janë vrarë disa të afërm më herët. Ky nuk është rasti i parë që futen armë në burgjet shqiptare.
Nuk mendoj se arma u fut sepse nuk punonte skaneri. Kontrollet në burgun e Peqinit janë shumë të imtësishme edhe nëse nuk punon skaneri. Nuk ka më histori ushqimesh në burgje sot. Të burgosurit marrin para dhe ushqimet i porosisin. Nuk është as histori kamerash, por bashkëpunimi me gardianët.
Ata janë hallka më vulnerabël e sistemit të burgjeve sepse janë të keqpaguar dhe krimi në burgje të tilla u bën karshillëk atyre sepse blihen lehtësisht dhe kërcënohen nga krimi. Mendoj se në këtë rast janë blerë nga krimi i hakmarrjes”, u shpreh ai.