Vrau Briken Sanajn brenda rezidencës te “Kodra e Diellit”, arrestohet 41 vjeçari. Si nisi hasmëria pas sherrit për një vajzë

Është arrestuar në Gjermani një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Briken Sanajt në 3 dhjetor 2022 brenda rezidencës së tij tek Kodra e Diellit.

41-vjeçari Vladimir Kola mësohet se është lokalizuar në qytetin Gelsenkirchen dhe u vendos në pranga më qëllim ekstradimin në Shqipëri. Kola dyshohet se së bashku me persona të tjerë planifikoi dhe ishte ai që vrau Sanajn në rezidencë.

Me datën 03 tetor 2022, rreth ores 22:50 tek Kodra e Diellit, Vladimir Kola në bashkëpunim me 3 persona të tjerë ka qëlluar për vdekje Briken Sanajn.

Fillimisht u raportua se 39-vjeçarit i është marrë jeta si hakmarrje për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i tij, Antonio alias Renato Sanaj, e gjitha pas një sherri të nisur për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme. Për të shmangur atë që ndodhi, vëllezërit Sanaj kishin ikur nga Shqipëria dhe kishin nisur një jetë tjetër në Itali, por duket se nuk i kanë ikur dot hasmit.

Mjeti i përdorur nga autorët ishte blerë në Kosovë. Pasi janë zbuluar pronarët e mëparshëm të mjetit në Kosovë janë marrë në pyetje dhe është konfirmuar se mjeti ishte blerë nga Agustin Kola. Sipas burimeve ka rezultuar se ai ka dalë jashtë territorit shqiptar 3 ditë pas vrasjes së Briken Sanajt.

39-vjeçari jetonte në Itali, ndërsa njihej dhe me emrin Skerdilajd Sanaj. Ai u qëllua me plumba kallashnikovi në kokë sapo la makinën në garazh. Atentati ndodhi pasi u kthye nga Lezha, ku ishte për dasmën e kushëririt të tij, Anton Gjini, i cili është pronar i banesës në rezidencë. Burimet bëjnë me dije se Sanaj mund të jetë vëzhguar nga njerëz të tij, të cilët kanë pasur dijeni të plota për ardhjen e tij nga Italia.

Si ndodhi vrasja

Të paktën katër persona dyshohet se morën pjesë në atentat. Vepruan me saktësi dhe duket se nuk kanë lënë gjurmë në duart e policisë. Dy atentatorët u futën në rezidencë pasi çanë rrethimin e jashtëm, e qëlluan nga një distancë të afërt, nga një vend poshtë një peme ulliri.

Të ndihmuar nga një person i tretë, u larguan me shpejtësi me makinën tip “Mercedez Benz”, të cilën e dogjën. Personi i katërt ka pasur rol vëzhgues. Mënyra se si është ruajtur derisa të mbërrinte brenda rezidencës “Kodra e Diellit” dhe hyrja e autorëve nga rrethimi i pasmë i bind hetuesit se ishin vrasës profesionistë dhe me pagesë.

Itinerari që ndoqën autorët

Pasi dolën në Unazë, vijuan përmes ish-sheshit “Shqiponja” dhe hynë në autostradë, nga e cila hynë në rrugën dytësore pranë një qendre tregtare dhe disa kilometra më tej dogjën makinën në Qafë-Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash. Një person tjetër i largoi. Targat e makinës tip ‘Benz’ i përkasin shtetasin Luan Qanushi, të cilat ishin të vjedhura. Brenda makinës janë gjetur dhe armë tip kallashnikov.

Njoftimi i policisë:

Sot me datën 16.04.2024, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden, në Gjermani u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Vladimir Kola, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.

Ai akuzohet për veprat penale plagosje me pasoje vdekjen, keqtrajtim, vrasje, armëmbajtje pa leje, eksplozivë.

Në vijim të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga DVP Tiranë dhe shkëmbimin e tyre në kohë reale, mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i përbashkët, i koduar “Versus”.

Në kuadër të këtij operacioni, është lokalizuar në qytetin Gelsenkirchen, Gjermani, dhe është arrestuar më qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi shqiptar V.(V.) K., 41 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datë 23.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Më datë 30.10.2022, në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, shtetasi V.(V.) K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin B. S”, njofton policia.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *