Vrau tre gra sot dhe plagosi tre të tjera, Dan Hutra ishte fiksuar pas ish të dashurave

Kryeqyteti dhe mbarë opinioni u trondit këtë të mërkurë nga krimet e një 40-vjeçari, një ish-i dënuar, vrasës i pashëruar që i mori jetën nga breshëria e kallashnikovit 3 grave të reja dhe plagosi tre të tjera, në tre zona të ndryshme të Tiranës, por që i bashkonte njohja me killerin.

Mesditën e kësaj të mërkure në orën 12:15 duke i dhënë një makine Benz të zi me targë AA 531 UK, me një kallashnikov dhe thikë brenda saj, është ndalur në zonën e “Astirit”. Aty Hutra është përballur me prenë e parë, 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi, me të cilën kishte pasur një lidhje e ku e ka plagosur me thikë dhe i ka marrë lekë.

Me nxitim dhe me një plan të qartë në kokë, me të njëjtën makinë dhe të njëjtat armë krimi, Dan Hutra është nisur drejt Paskuqanit te banesa e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, me të cilën kishte një vajzë të vogël vetëm 4 muajshe. Vrasësi i pandalur është futur brenda shtëpisë private ku Hysa jetonte me familjarë të saj dhe ka qëlluar me breshëri ndaj tyre pa menduar se kë merr para. Si pasojë ndërruan jetë motra e ish-bashkëjetueses Mevlute Hysa 30 vjeç dhe e fejuara e vëllait të Elena Hysës, gjithashtu 30-vjeçare, Hasime Dafku. Në mesin e kësaj tragjedie, ish-bashkëjetuesja 35-vjeçare dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeç, mbetën të plagosura pasi ndaj tyre Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë.

Masakra ka vijuar edhe më tej. Ky vrasës i rrezikshëm i arratisur me makinën Benz të zi dhe armët e krimit në të, u drejtua drejt Kamzës, aty ku qëlloi me të paktën 3 plumba një tjetër vajzë, 31-vjeçaren Etleva Kurti. E reja dyshohet të ketë pasur lidhje me Dan Hutrën, por nuk ka pritur se 40-vjeçari do i vijë krejt papritur për ta qëlluar me breshëri kallashnikovi në derën e shtëpisë private ku jetonte vetëm me nënën.

Etleva Kurti dukej se i druhej plumbave nga një tjetër dorë! Vajza i ruhej gjakmarrjes pasi vëllai i saj Vladimir Kurti vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Drenovë për vrasjen në 2018-ën të Agim Buçit dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative grabitje në dyqanin e tyre në Tiranë, skenë e ndodhur e gjitha në prani të djalit të tyre 6-vjeçar në atë kohë.

Shenjat e vrasësit serial gjakftohtë Dan Hutra në atë kohë 24 vjeç i ka dhënë që në 2007-ën, kohë kur vrau me thikë në zemër, gruan e tij të parë në Kukës, Dafina Havalja.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *