Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 që ka nisur sot në të gjithë territorin e vendit është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923.
Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Ai synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE).
“Deri tani referuar sistemit, procesi po shkon mirë. Janë regjistruar pjesa më e madhe e anketuesve. 1500 intervista janë në proces, janë përfunduar rreth 800 pyetësorë. Procesi është dinamik dhe po shkon sipas pritshmërive, intervistat do vazhdojnë edhe pasdite për të mundësuar takimin me qytetarët që kanë qenë në punë.
INSTAT do japë informacion mbi ecurinë. Ftojmë çdo individ t’i kushtojë disa minuta procesit të numërimit duke bashkëpunuar me anketuesit pasi censusi është një e mirë publike në të mirë çdo qytetari”, është shprehur drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli.
Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.
Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.
Puna në terren do të zgjasë gjashtë javë. Informacioni që grumbullohet nga Censi i vjen në ndihmë qeverisë që të vendosë sesi t’i shpërndajë fondet dhe ndihmën për qarqet dhe bashkitë. Autoritetet vendore do ta përdorin këtë informacion për të përcaktuar se ku të ndërtojnë, duke nisur nga shkollat, shtëpitë dhe spitalet e deri te rrugët dhe rrjetet e ujësjellësit.
Të gjithë personat në moshë madhore që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë janë të detyruar të japin informacionin e kërkuar në pyetësorët e Censit në mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme. Mospjesëmarrja është në kundërshtim me ligjin dhe dënohet me gjobë, nga 50 mijë lekë deri në 100 mijë lekë të reja.
Pyetesori i Cens 2023 by Newsbomb Albania