Kryeministrja finlandeze Sanna Marin dhe bashkëshorti i saj, Markus Räikkwnen, do të divorcohen pas 19 vitesh së bashku, njoftoi Marin në Instagram.
“Së bashku kemi bërë kërkesë për divorc. Jemi mirënjohës për 19 vite bashkë dhe për vajzën tonë të dashur. Ne jemi ende miqtë më të mirë, të qetë me njëri-tjetrin dhe prindër të dashur. Ne do të vazhdojmë të kalojmë kohë së bashku si familje dhe me njëri-tjetrin”, ka shkruar Marin në një story në Instagram.
Marin dhe Räikkönen, një biznesmen dhe ish-futbollist profesionist, u martuan zyrtarisht në vitin 2020.
Njoftimi vjen pasi Marin humbi zgjedhjet parlamentare të Finlandës në prill, me Partinë e Koalicionit Kombëtar të krahut të djathtë që pretendnte fitoren në një garë të ashpër.
Ajo aktualisht po shërben si kryeministre e përkohshme derisa të mund të formohet një qeveri e re koalicioni. Ajo u bë kryeministrja më e re në botë kur mori detyrën në vitin 2019 në moshën 34-vjeçare.