Një tragjedi ka ndodhur në Itali, në Reggio Emilia, ku humbën jetën 4 anëtarë të një familje shqiptare. Shkak u bë një aksident i rëndë. Makina me të cilën po udhëtonin 5 anëtarët e familjes doli nga rruga dhe u përplas me një shtëpi të pabanuar. Nëna 22-vjeçare, djali i saj 2 vjeç, ndërruan jetë ndërsa babai që po drejtonte makinën, Orjol Lame, 32-vjeç u transportua në gjendje të rëndë në spitalin Reggio Emilia. 2 viktimat e tjerë janë vëllai (12 vjeç) dhe motra (8 vjeçe) e 22-vjeçares.
Viktimat janë identifikuar si: Shane Hyseni, 22 vjeçe, Mattias Lame, 2 vjeç, Rejana Hyseni, 8 vjeçe dhe Resat Hyseni 11 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00 në Via Emilia midis Cadé dhe Villa Gaida. Babai po drejtonte automjetin tip ‘Fiat Stilo’ të errët që humbi kontrollin, doli nga rruga dhe u përplas me një shtëpi.
Menjëherë pas ngjarjes, forcat zjarrfikëse shkuan në vendin e ngjarjes për të nxjerrë trupat nga makina e shkatërruar.
Policia italiane po punon për të ndërtuar dinamikën e aksidentit. Sipas të dhënave të para, mësohet se makina ishte me shpejtësi kur dol inga rruga. Rruga alternative ku ndodhi aksidenti është shumë e frekuentuar nga shoferët kur autostrada është e mbingarkuar. Për të rritur sigurinë, banorët e zonës kanë kërkuar shpesh nga institucionet që të vendosen kamera shpejtësie dhe limiti të jetë 30 km/h në zonë.
Mediat italiane shkruajnë se 32-vjeçari kishte mbërritur në Itali para disa muajsh me gruan e tij dhe djalin e vogël. Ata jetonin në Calerno dhe të dy prisnin dokumentet e nevojshme për të qëndruar në Itali dhe për t’u punësuar.